Ndërlidhjet

“Tirana zyrtare shpërfill Dik Martin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
Tirana zyrtare i ka komunikuar të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Karla Del Pontes dhe autoriteteve të Beogradit rreth pretendimeve se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. "Të drejtën për të hetuar në territorin e Shqipërisë e ka vetëm Prokuroria shqiptare", mësohet t’i ketë thënë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, senatorit zviceran që kryeson grupin e hetimit në emër të Këshillit të Evropës, në takimin e zhvilluar në Tiranë. "Unë refuzoj të besoj se këto janë të vërteta, por do të na pëlqente që kjo çështje të hetohej", i ka thënë Marti ministrit shqiptar të Drejtësisë. Por, përgjigjja e Alibeajt ka qenë: "Unë refuzoj t’i përgjigjem letër-porosisë së Ministrisë serbe të Drejtësisë, pasi pretendimet janë pa bazë dhe nuk ka prova mbi këto akuza"...

EPOKA E RE

Beson se në vjeshtë, Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të studimit të fizibilitetit, do t’i rekomandojë Brukselit t’i hapë dyert edhe për Kosovën. Ka thënë se Kosova nuk mund e as nuk guxon të mbetet vrimë e zezë e Ballkanit Perëndimor. Ka treguar se drejtuesit e institucioneve të vendit, të mbështetur edhe nga shumë miq ndërkombëtarë, janë duke punuar që të rritet numri i njohjeve për Kosovën. Ndërkohë, akuzat e opozitës rreth lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, i ka vlerësuar banale. “Është për të ardhur keq që për një çështje të interesit nacional, siç është lobimi për njohjen e shtetit të Kosovës, për përfitime politike, fajësohen institucionet e Kosovës”... Flet për “Epokën e re” zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku...

LAJM
Prishtina zyrtare, as pas një viti e gjysmë, nuk ka arritur që ta ndryshojë, eventualisht ta zbusë qëndrimin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. për mungesë të një politike më aktive, të koncentruar dhe më dinamike, qëndrimi i pesëshes së BE-së ka mbetur i pandryshueshëm... Ndërkohë, kjo qasje e autoriteteve të Kosovës është kritikuar edhe nga Suedia, si udhëheqëse e Presidencës së BE-së. Zëvendësshefi i Departamentit suedez për BE-në, Lars Uahlund, ka kërkuar që Kosova të ketë një politikë më aktive në këto vende, në mënyrë që ta marrë mbështetjen për kauzën e saj, ndërkohë që është pesimist se gjatë presidencës së Suedisë me BE-në do të arrihet të binden këto pesë shtete anëtare që ta njohin Kosovën...

KOHA DITORE
Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës pranon dhe zbaton kërkesa nga strukturat paralele që janë instaluar nga Qeveria e Serbisë në Kosovë. Ditë më parë, një kërkesë e tillë i është bërë Policisë së Kosovës nga i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Mitrovicës, Nenad Topliçeviq, që vjen nga radhët e Partisë Radikale të Serbisë. Ekzistimin e kësaj korrespondence në mes të strukturave paralele të Serbisë dhe Policisë së Kosovës e kanë konfirmuar zyrtarë të Policisë në Mitrovicë vetëm pas insistimit të gazetës. Gazeta ka siguruar korrespondencën e strukturave paralele me Policinë e Kosovës. Në kërkesën drejtuar Policisë së Kosovës shkruan: “Republika e Serbisë, Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë, Komuna e Mitrovicës së Kosovës, kryetar i komunës me numër protokolli 01 – 031 – 4”...

INFOPRESS
Komisioni Evropian ka siguruar edhe një herë se Kosova nuk do të jetë e harruar në procesin e liberalizimit të vizave dhe edhe një herë e ka lënë mundësinë e hapur që diskutimet për këtë çështje të nisin pas vjeshtës së këtij viti. Gjithsesi, Komisioni Evropian ende nuk e ka të qartë dhe nuk ka bërë të ditur planet se në çfarë rruge do ta bëjë këtë, në rast të pengesës së pesë shteteve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën. Kosova nuk ka qenë fare pjesë e diskutimeve për këtë çështje në këtë raund, ku kanë përfituar Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi... Një zëdhënës në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel i ka thënë gazetës të enjten se do të ishte pamaturi nga ana e tyre që të flisnin tani për planin e ecjes përpara në këtë drejtim, pa i parë rezultatet e studimit të fizibilitetit...

KOSOVA SOT

Katër ditë para shpalljes së kërkesës për parakualifikim për Partneritetin Publiko-Privat (dhënies me koncesion) të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, drejtuesit e njërës prej kompanive publike më fitimprurëse në vend kanë bërë të ditura të gjitha investimet, të cilat janë realizuar për një vit e gjysmë, investime të cilat arrijnë shumën prej mbi 50 milionë euro. Drejtori i ANP-së, Agron Mustafa, tha se këto investime e rrisin vlerën e kësaj kompanie, e cila shumë shpejt pritet të koncesionohet. Drejtori Mustafa tha se të gjitha këyo investime kanë ardhur si rezultat i angazhimit të punonjësve të kompanisë dhe si nevojë dhe kërkesë që ANP-ja të arrijë standardet, të cilat kërkohen nga Organizata Ndërkombëtare për Aviacionin Civil...

EXPRESS
Ambasadori Albert Rohan është plotësisht kundër idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, e përkrahur para disa ditësh edhe nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabaher. “Përgjigja ime është shumë e prerë - jo. Jam kundër kësaj ideje. Nuk mendoj se shkëmbimi i territoreve është zgjidhje. Jam fuqishëm kundër kësaj”, ka thënë Rohan, në një bisedë për “Express”, të enjten. Diplomati austriak, Rohan, dhe shefi i tij i dikurshëm, Marti Ahtisari, kanë ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës dhe kanë hartuar planin gjithëpërfshirës nën mbikëqyrjen e gjashtë shteteve të fuqishme, anëtare të Grupit të Kontaktit. Ish-ndërmjetësi nuk ka asnjë informatë nëse ndonjë nga qeveritë e këtij grupi mund të jetë prapa këtij opsioni të promovuar nga kongresisti Rohrabaher...

ZËRI
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, në nivel të kryetarëve, përkatësisht Ramush Haradinaj dhe Sali Berisha, kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit, në bazë të orientimit të përbashkët programor të përkatësisë në familjen politike të qendrës së djathtë të të dy vendeve. Nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është bërë dje, me rastin e vizitës njëditore që kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë i bëri Shqipërisë, ku u pritën nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Sidoqoftë, kjo është marrëveshja e parë e këtij lloji, e cila lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjegjësisht mes dy subjekteve politike të këtyre dy vendeve...
XS
SM
MD
LG