Ndërlidhjet

“Kosova kundër çdolloj marrëveshjeje mes EULEX-it dhe Serbisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Me afro gjysmën e bizneseve që nuk paguajnë tatime, një mal telashesh në legjislacion, në staf e teknologji informative, Behxhet Haliti, drejtor i emëruar një muaj më parë në Administratën Tatimore të Kosovës, ka shpresë se gjendja mund të ndryshojë, madje shumë shpejt. Pikërisht gjendjes në këtë institucion i kanë ndihmuar ndryshimet e shpeshta të udhëheqjes. Secila qeveri ka pasur dëshirë që aty ta ketë njeriun e vet. Së fundi, për një vit janë ndërruar tre drejtorë. Këto lëvizje nuk sollën ndryshime të mëdha, pasi që ende janë të paarkëtuara 254 milionë euro borxhe, disa prej të cilave figurojnë edhe që nga viti 2001. ATK-ja është burimi i dytë i parave. Ka për obligim të identifikojë burimet e brendshme dhe të vjelë tatimin. Ajo tash siguron 28 për qind të të hyrave. Ndonëse kjo nuk është pjesëmarrje për t’u lavdëruar, megjithatë ka lëvizje përpara...

ZËRI
Pas përfundimit të procesit të seleksionimit të kandidatëve për ambasadorë, tashmë është në përfundim e sipër edhe faza e dytë e përzgjedhjes së stafit diplomatik të konsullatave dhe ambasadave dhe kompletimit të misionit diplomatik. Vetëm pas marrjes së pëlqimit nga vendi nikoqir, presidenti i Republikës mund të bëjë dekretimin e ambasadorëve, në të kundërtën, refuzimi i ndonjë kandidati nënkupton propozimin e një emri tjetër. Presidenti pret përgjigje për emrat e propozuar, por kur do të ndodhë kjo, varet ekskluzivisht nga vendet pranuese të misionit. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Albana Beqiri, ka thënë se sa u përket konsujve, nuk do të shkohet me modulin konsull të përgjithshëm...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës, edhe përkundër deklarimeve se zgjedhjet e organizuara nga Serbia në Graçanicë e Gorazhdec, të dielën, janë të pavlefshme dhe ilegale, ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin vendim për shpalljen edhe formale të pavlefshme të këtyre zgjedhjeve. Po këto “zgjedhje”, të cilat Beogradi vendosi t’i përsëriste, nuk u shpallën me asnjë akt juridik nga Qeveria e Kosovës si zgjedhje të pavlefshme. Po ashtu, asnjëherë më parë në 10 vjetët e shkuar, asnjë qeveri apo legjislaturë e Kuvendit nuk kishte nxjerrë ndonjë akt juridik me të cilin do t’i shpallte të pavlefshme. Si të tilla, ato vazhdonin të ruanin dhe forconin strukturat paralele serbe në gjithë Kosovën, ndërsa pohimet e institucioneve për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, i merrte era...

EPOKA E RE
Serbia do të përpiqet që debatin ta mbajë në terrenin juridik, ku ka një përparësi, përderisa shqiptarët e Kosovës dhe aleatët e saj do të insistojnë në dimensionin ideologjik dhe politik të rastit. Nëse Serbia gjet dëgjimit publik mbi Kosovën, që është caktuar më 1 dhjetor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, do t’ia dalë që “topin” ta mbajë në terrenin juridik, nuk duhet të brengoset për rezultatin e procesit, i cili tashmë është cilësuar si historik, konsiderojnë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare. Ata, megjithatë, pajtohen se ky do të jetë mision i vështirë, sepse mbrojtësit e pavarësisë së Kosovës do t’i përdorin të gjitha argumentet që të dëshmojnë se “rasti i Kosovës”, para së gjithash, është çështje politike...

KOHA DITORE
Mijëra qytetarë serbë të Prishtinës dhe të Pejës, të dielën, i janë përgjigjur thirrjes së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë që të votojnë për udhëheqësit e komunave paralele për kryeqytetin e Kosovës dhe Pejën. Në orët e mëngjesit janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Graçanicë për Prishtinën dhe në Gorazhdec për Pejën. Komisarët në qendrat e votimit nuk janë ankuar për probleme të tjera, pos mungesës së rrymës në të dyja lokalitetet, për shkak të reduktimeve që po i aplikon KEK-u. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara lokale, kësaj here është vërejtur një dalje në numër më të vogël e votuesve, të cilën komisarët e qendrave të votimit e kanë arsyetuar me stinën e verës dhe pushimeve...

LAJM
Paralajmërimet, sipas të cilave, EULEX-i do ta nënshkruajë një protokoll për bashkëpunim kundër krimit të organizuar dhe akteve ilegale me Ministrinë e Brendshme të Serbisë, duke i anashkaluar plotësisht institucionet e Republikës së Kosovës, kanë nxitur reagime të shumta në Prishtinë. Zyrtarët e Qeverisë deklarojnë se EULEX-i nuk ka mandat për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se institucionet e Kosovës nuk janë informuar lidhur me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Përfaqësues të opozitës dhe analistë thonë se EULEX-i po i merr tiparet e UNMIK-ut, duke i tejkaluar kompetencat që i takojnë...

INFOPRESS
Kur na ndajnë edhe tre muaj nga zgjedhjet lokale që do të mbahen në Republikën e Kosovës, duket sikur disa parti politike janë fokusuar shumë më shumë në profilizimin e tyre. Kështu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka intensifikuar punët në këtë drejtim. Pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, tashmë LDK haptas po deklaron orientimin e djathtë të partisë. Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjet lokale që po afrojnë, por është pjesë e proceseve në LDK. “Ne, për 20 vjet, kemi pasur karakteristika dhe jemi identifikuar si parti e djathtë...”, thotë Lutfi Haziri, në një intervistë të shkurtër për “Infopress”...

KOSOVA SOT
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe në disa qendra të tjera të Kosovës kanë ngjitur qindra posterë dhe kanë shpërndarë mijëra fletushka kundër tolerimit që udhëheqësit politikë kosovarë ua bënë mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Në këta posterë me mbishkrimin “Bëhu pjesë e së ardhmes”, është vendosur fotografia e kryeministrit Hashim Thaçi duke duartrokitur dhe një kuti votimi, ku shkruan “Gllasaçka kutija”. Me këtë rast, Albin Kurti ka theksuar se mosveprimi i Qeverisë së Kosovës është hapësirë për veprimin e Serbisë dhe se heshtja dhe pasiviteti i shtetit të Kosovës është leje dhe inkurajim për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë...
XS
SM
MD
LG