Ngjarjet e javës
9
24 qershor '09 - Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, është arrestuar në Bullgari, ka njoftuar Ministria e Brendshme e këtij vendi. “Agim Çeku është arrestuar në Geshevo, kur ai ka hyrë në Bullgari, në bazë të një kërkese të Interpolit”, ka thënë zëdhënësja Diana Jankulova. Në Prishtinë, arrestimin e tij në Bullgari e kishte konfirmuar edhe Partia Social-demokrate e zotit Çeku. “Zoti Çeku është arrestuar në kufirin ndërmjet Bullgarisë e Maqedonisë në Qustendil, pas fletarrestit të Serbisë më 9 Maj”, kishte deklaruar zëdhënësi i kësaj partie, Gëzim Kasapolli.
10
24 qershor '09 - Presidentët e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë mbështetur forcimin e marrëdhënieve rajonale në drejtim të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. "Vendet e Bashkimit Evropian do të çmonin intensifikimin e shkëmbimeve ekonomike ndërmjet vendeve tona”, u ka thënë presidenti i Shqipërsië, Bamir Topi, homologëve të tij nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, gjatë një takimi në Vlorë.
11
24 qershor '09 - Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është shpallur fitues i çmimit spanjoll për letërsi “Princi i Asturias”, me të cilin shpërblehet puna e tij dhe angazhimet në fushën sociale. Duke e cilësuar Kadarenë si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, organizatorët e këtij çmimi thanë se ai "përfaqëson kulmin e letërsisë shqipe dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kaluar kufijtë dhe është bërë zëri universal kundër totalitarizmit."
12
24 qershor '09 - Koreja e Veriut ka përsëritur kërcënimin e saj për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rast të provokimit, pasi që Uashingtoni dhe aleatët e tij hulumtonin për shenja rreth lansimit eventual të më shumë raketave nga Pheniani. Agjencia zyrtare e lajmeve tha se në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës "fillojnë një luftë tjetër, ushtria dhe populli i Koresë do t'i zhdukë agresorët njëherë e përgjithmonë".