Ndërlidhjet

Dridhjet mbi planet raketore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Çeki dhe Poloni vazhdojnë debatet për ndryshimet në planin amerikan të mburojës raketore.

Vendimi i javës së shkuar i administratës Obama për të anuluar planet për vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore në Poloni dhe Çeki, goditi rëndë Evropën qendrore.

Kritikët e planit u gëzuan, por lajmi solli zemërim në Pragë e Varshavë. Les Valesa, ish-presidenti ikonë i Polonisë dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe, ishte i pari që do të shprehte zemërimin me Uashingtonin.

“Prisja shumëçka nga Shtetet e Bashkuara, por jo një arrogancë të tillë”, tha Valesa.

Valesa, për Radion Evropa e Lirë, kritikoi administratën Obama edhe për faktin se nuk u këshillua aspak me aleatët çekë e polakë lidhur me ndryshimin e planit.

“Diskutime dhe shpjegime duhet të ishin zhvilluar paraprakisht, në mënyrë që ta bënin vendimin të dukej një marrëveshje e përbashkët dhe jo një vendim i njëanshëm”, sqaroi Valesa.

Politikanë të Evropës qendrore, përfshirë dhe Valesën, gjatë dy vjetëve të fundit kanë qenë në mbrojtje të planit amerikan për vendosjen e mburojës raketore në këtë pjesë të Evropës.

Gazetari çek, Frantishek Shultz, njëherësh autor i një libri mbi mbrojtjen raketore, tha:

“Shumë politikanë kanë investuar kapital të madh politik në mbrojtjen e mburojës raketore. Atyre nuk u pëlqeu hapi i Obamës pasi dolën si humbës, veçanërisht para kundërshtarëve të planit. Në të ardhmen, ata do të jenë shumë të kujdesshëm përpara se të bëjnë ndonjë hap të ngjashëm”, tha Shultz.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, i siguroi të dyja vendet se do të marrin pjesë dhe në planin e ri të mbrojtjes raketore.

Barak Obama dhe Dmitri Medvedev, 7 korrik 2009.
Nga ana tjetër, në Pragë e Varshavë vendimi është parë si përulje ndaj Rusisë. Presidenti Obama disa herë ka përsëritur se kjo nuk është e vërtetë, por një gjë e tillë nuk ka qetësuar çekët e polakët.

Kjo duket dhe në kryetitujt e gazetave. “Tradhti” shkruante në faqen e parë gazeta polake “Fakt”, kurse e përditshmja më e madhe çeke “Mllada Fronta Dnes” shkruante “S’ka radar. Rusia fitoi”.

Gazetari çek, Shultz, shpjegoi:

“Çekët dhe polakët ndihen sikur administrata Obama bëri një marrëveshje me Rusinë pas krahëve të tyre. Droja nga Rusia vazhdon të jetë e fortë edhe 20 vjet pas revolucionit që rrëzoi komunizmin”.

Ish-ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg, i cili luajti një rol kyç në miratimin e vendimit për vendosjen e mburojës raketore në Çeki, sheh ndikimin rus pas vendimit të administratës amerikane, si dhe sinjalet për ndryshime në politikën e jashtme.

“Ne luftuam për radarin dhe ishte e vështirë t’i kalonim të gjitha. Ndryshimet tregojnë se përparësitë e politikës amerikane janë tjetërkund tani. Ato janë të fokusuara në Lindjen e Mesme dhe në Iran”,
tha Shvarcenberg.

Vendimi i Obamës nuk ishte plotësisht befasi. Ka pasur spekulime se gjatë muajve të fundit Uashingtoni e Moska po përpiqeshin të gjenin gjuhën e përbashkët, veçanërisht rreth Iranit.

Në Rusi, vendimi i administratës amerikane është parë si fitore, por kjo nuk do të thotë se plani i ri për mburojën raketore ka miratimin rus.

Eksperti rus i sigurisë, Aleksandër Goltz, tha:

“Nuk do të isha i befasuar nëse Rusia nuk do të thotë një ditë se edhe plani i ri paraqet kërcënim për sigurinë ruse”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG