Ndërlidhjet

Përmirësimi i politikave fiskale


Reformat fiskale, të bëra deri më tani nga Qeveria e Kosovës, sipas ekspertëve të ekonomisë, nuk kanë krijuar një ambient të favorshëm për afarizëm. Ata u sugjerojnë autoriteteve kosovare që të krijojnë mekanizma adekuatë për reformimin e politikës ekonomike, pasi që, siç thonë ata, do të ndikojnë pozitivisht edhe në pagesat më të rregullta të bizneseve kosovare dhe tërheqjen e investitorëve.


Ekspertët e ekonomisë në Prishtinë konsiderojnë se Kosova duhet të bëjë reforma fiskale konform rregullave të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të zihet hapi zhvillimor, si dhe për të krijuar ambient të qetë dhe të favorshëm për afarizëm.

Eksperti për çështje ekonomike, Bedri Selmanaj, thotë se sa u përket politikave fiskale, qeveria dhe parlamenti, sa më shpejt, duhet të bëjnë intervenim në ligjet, të cilat do të mundësonin nxitjen e investimeve të huaja.

“Ne kemi Ligjin për investime të huaja, i cili është miratuar para 5 vjetësh, por i cili nuk është konkurrent sa i përket krijimit të kushteve dhe rrethanave më të volitshme e konkurrente, sesa vendet fqinje”.

“Ne duhet të shkojmë në një ligj, i cli do të quhej ligji për investime, e i cili do t’i inkorporonte drejtpërdrejt politikat fiskale dhe i cili do të duhej të lidhej edhe me çështjen e punësimit”,
konsideron Selmanaj.

Sa u përket investimeve të huaja, nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerëson se në Kosovë, në aspektin ligjor, është krijuar një ambient i mirë për investime.

“Në aspektin legjislativ, në formë të asaj që është e shkruar, ka një stabilitet, ka një mundësi, por, megjithatë, duhet të eliminohen procedurat burokratike, që investitorët e huaj i hasin apo me të cilat ballafaqohen në Kosovë, gjatë vizitave të tyre këtu”.

“Është koha që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të jetë më aktive në ofrimin apo lehtësimin e këtyre mundësive”,
thotë Gërxhaliu.

Ndërkohë, eksperti i çështjeve ekonomike, Bedri Selmanaj, u sugjeron autoriteteve kosovare që në reformat fiskale të fusin edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me një zhvillim të mirë ekonomik.

Sipas tij, te ndërmarrjet që punësojnë mbi 1000 punëtorë, duhet bërë që për 15 vjetët e ardhshëm të lirohen nga tatimi në fitim.

“Qeveria ka hyrë në një fazë të një reforme dhe ka krijuar një zbritje të tatimit në fitim, prej 20 në 10 për qind, por nuk është kushtëzuar me çështje të punësimit dhe nuk është harmanizuar për nxitje të investimeve. Kështu që, në këtë drejtim, nuk jemi konkurrentë me vendet e rajonit”, thekson Selmanaj.

Së fundi, edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën inkurajoi qeverinë që të ushtrojë disiplinë fiskale dhe të nxjerrë politika largpamëse ekonomike, për t’i trajtuar dobësitë e tilla, duke u thirrur në këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, me qëllim të stimulimit të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës.

Kryetari i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se sugjerimet e mekanizmave ndërkombëtarë, në këtë rast nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, duhet të merren për bazë nga autoritet kosovare.

Megjithatë, ai thekson se qeveria nuk përfill rekomandimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë, sipas mendimit tim me plot vend, kur qeveria vendosi për ndryshimin e skemës tatimore në Kosovë. FMN kishte rekomanduar që tatimi në të hyrat në fitim të mos ulet më shumë se 15 për qind, ndërsa Ministria e Financave dhe qeveria morën vendim për zvogëlimin e këtij tatimi në 10 për qind”.

“Një zbritje kaq e madhe mund të shkaktojë probleme në arkëtimin më të vogël të të hyrave buxhetore”,
vlerëson Mulaj.

Reformat fiskale në Kosovë janë bërë në fillim të këtij viti. Në kuadër të reformave fiskale, të ardhurat deri në 80 euro nuk i nënshtrohen asnjë tatimi. Ndërkaq, ato prej 80 deri në 250 euro tatohen me 4 për qind, kurse të ardhurat prej 250 deri në 450 euro tatohen me 8 për qind. Të ardhurat mbi 450 euro ngarkohen me tatim 10 për qind.

Në këtë pako të ndryshimeve, është përfshirë edhe ngritja e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 15 për qind në 16 për qind.
XS
SM
MD
LG