Ndërlidhjet

GNK: Shtërpca, enklavë model në Kosovë?


Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit ofrojnë një mundësi kyçe për serbët e Kosovës që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të çojnë përpara procesin e decentralizimit. Kështu vlerëson në një analizë të veten Grupi Ndërkombëtar i Krizave.


Shtërpca, një prej enklavave më të mëdha serbe në Kosovë dhe një prej të paktave ku raportet midis shqiptarëve dhe serbëve janë të mira dhe ku prospektet ekonomike nuk mungojnë, rrezikon të shndërrohet në viktimë të mospajtimeve mbi statusin midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kështu shkruan në raportin e fundit Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ku gjithashtu potencohet shansi që Shtërpca ka për të demonstruar se serbët mund t’i mbrojnë interesat e tyre edhe në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës.

“Zgjedhjet e 15 nëntorit mund të lehtësojnë status quo-në, t’i ofrojnë kësaj komune një qeveri legjitime dhe të zhbllokojnë potencialin ekonomik. Beogradi, Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të trimërojnë votimin dhe pastaj ta pajisin qeverinë komunale me përgjegjësi të zgjeruara dhe resurse të nevojshme”, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Një kohë të gjatë, Beogradi i ka parë serbët e Kosovës si instrument për të zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës, duke sponsorizuar zgjedhje paralele në kuadër të ligjeve serbe dhe duke ofruar mbështetje thelbësore ekonomike.

Por, thuhet në raport, Serbisë i mungojnë shërbimet domethënëse qeverisëse në enklavat sikur që është Shtërpca. Serbia duhet të vendosë interesat e qytetarëve të kësaj komune në radhë të parë, duke e njohur faktin se atyre u duhet një marrëdhënie me autoritetet në Prishtinë.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, ka qenë e ngathtë që komunës së Shtërpcës dhe komunave të tjera t’u japë më shumë pushtet dhe përgjegjësi, ashtu siç është e paraparë me Planin Ahtisari.

Në Qeverinë e Kosovës janë të shumtë ata që mendojnë se decentralizimi është shpërblim dhe jo e drejtë, dhe presin nga serbët e Kosovës që të pranojnë autoritetin e qeverisë qendrore në mënyrë eksplicite, para se të transferohet pushteti në komunat përkatëse.

Vendosja e një qeverie lokale legjitime dhe efektive do të mundësonte që Shtërpca të merret në mënyrë thelbësore me çështjet primare, siç është Brezovica dhe parku nacional i Sharrit.

Përparimi në Shtërpcë do të kishte një ndikim të madh në decentralizimin e pushtetit. Kjo komunë mund të shërbejë si një model, nga i cili mund të joshen edhe komunat tjera me shumicë serbe.

Me Beogradin, në njërën anë, që bojkoton decentralizimin dhe Prishtinën, në anën tjetër, që duket se nuk është e interesuar në këtë proces, është dukshëm e qartë se zhvillimet në terren dhe përfitimet janë basti më i mirë për t’ua dëshmuar serbëve skeptikë se edhe ata kanë të ardhme në Kosovë, shkruan në fund Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

A.V.
XS
SM
MD
LG