Ndërlidhjet

Gruevski: Do të ketë referendum për emrin


Kryeministri Nikolla Gruevski
Kryeministri Nikolla Gruevski

Në Maqedoni do të mbahet referendumi, në të cilin qytetarët do të deklarohen për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit. Kjo u bë e ditur nga kryeministri Nikolla Gruevski, sipas të cilit, përveç qytetarëve, askush tjetër nuk e ka të drejtën të vendosë për këtë çështje.


“Referendum për emrin do të ketë dhe për mua kjo çështje është e mbyllur. Pa referendum, nuk ka mundësi të zgjidhet çështja e emrit”.

Kështu ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, duke kundërshtuar në këtë mënyrë rekomandimet e fundit nga Brukseli që të mos mbahet referendum, për shkak të komplikimeve të mundshme që mund t’i shkaktojë për të ardhmen e vendit një çështje kaq komplekse siç konsiderohet kontesti me Greqinë.

“Unë jam thellë i bindur se një çështje kaq e madhe për historinë e një populli nuk mund të zgjidhet pa konsultim me qytetarët. Emri i shtetit është i trashëguar. Për emrin e këtij vendi nuk mund të vendosë vetëm një grusht i politikanëve, intelektualëve, OJQ-ve apo individët. Politikanët për këtë çështje mund të japin mendimin e tyre, por jo edhe të vendosin", ka thënë Gruevski për agjencinë MIA.

Paralajmërimet e vazhdueshme të kryeministrit për referendum janë kundërshtuar jo vetëm nga partitë opozitare, por edhe nga partneri i tij shqiptar në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim. Lidhja Socialdemokrate kërkon takim urgjent të liderëve të partive politike, në të cilin do të merrej vendimi për të gjitha zgjidhjet e mundshme për çështjen e emrit.

“Vlerësoj se pa asnjë shtyrje, kryeministri Gruevski dhe presidenti Ivanov duhet të thërrasin një takim urgjent të liderëve, të organizohet një debat serioz në Parlamentin e Maqedonisë, të shohim se cilat janë opsionet dhe të shohim se a mund të arrijmë konsensus rreth kësaj çështjeje”, ka theksuar Radmilla Sheqerinska, deputete e LSDM-së.

Edhe nga Demokracia e Re kërkojnë takim urgjent të liderëve të partive politike.

“Mendoj se është më se e nevojshme të ulen të gjithë faktorët politikë në vend dhe të vendosin për atë që është më e mira për të gjithë”, ka deklaruar deputeti i Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, duke e vlerësuar krejt të panevojshme nevojën për organizimin e referendumit, për shkak se VMRO-DPMNE-ja, sipas tij, ka pushtetin absolut, pra besimin e qytetarëve për të sjellë vendime.

“Përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe absolutisht mendojmë se çdo kthim i mandatit te qytetarët nuk do të jetë i mirë. Kjo çështje duhet të zgjidhet me negociata direkte mes Maqedonisë dhe Greqisë. Mendoj se shumica e partive opozitare përkrah dhe inkurajon qeverinë që të dalë me një zgjidhje konkrete lidhur me kontestin rreth emrit”, ka thënë Rushiti.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e pëlqejnë mbajtjen e referendumit.

“Partitë politike serioze, në momente historike, duhet të kenë guximin të demonstrojnë përgjegjësi dhe të marrin vendime, të cilat për momentin mund të mos jenë aq të popullarizuara në mesin e të gjitha shtresave të shoqërisë, por janë vizionare, janë të rëndësishme dhe janë në funksion të perspektivës euroatlantike të shtetit dhe fatit të qytetarëve”, ka deklaruar Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.

Një ditë më parë, Gruevksi mori mesazhe të fuqishme nga Brukseli që të mendohet mirë para se të organizojë referendum dhe të ketë parasysh eksperiencën e Bashkimit Evropian në raport me referendumet.

”Nuk mendoj se në demokracitë parlamentare referendumet janë zgjidhja më e mirë për të marrë përgjigjen e vërtetë nga populli për çështje, të cilat janë të rëndësishme”. Kështu i deklaroi përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme në BE, Havier Solana, kryeministrit Nikolla Gruevski, gjatë takimit të fundit në Bruksel.
XS
SM
MD
LG