Ndërlidhjet

Analistët: Ka dallime politike midis partnerëve qeveritarë


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Analistët në Shkup konstatojnë se midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ekzistojnë dallime të mëdha, që kryesisht kanë të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së emrit dhe statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.


Analisti i çështjeve politike, Xhelal Neziri, thotë se partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë qëndrime të ndryshme rreth disa çështjeve esenciale të brendshme politike, por edhe rreth atyre për ardhmërinë e vendit.

Sipas tij, dallimet vërehen në deklarimet dhe në veprimet konkrete të partive qeveritare.

“Divergjenca e parë është me mënyrën e zgjidhjes së çështjes së emrit. BDI-ja kërkon zgjidhje të shpejtë, ndryshim të emrit dhe integrim në NATO dhe BE, ndërsa Gruevski taktizon dhe në negociatat me Greqinë paraqitet me pozicione maksimaliste”.

“Divergjenca e dytë më e madhe midis BDI-së dhe VMRO-së është zgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve të ish-UÇK-së dhe invalidëve të luftës. Kemi edhe dallime tjera, të cilat ka mundësi që të mos dalin në opinion”,
thotë Neziri.

Analisti nga Instituti për Demokraci, Vlladimir Bozhinovski, shprehet se dallimet midis partnerëve të koalicionit qeveritar janë normale dhe demokratike, por, megjithatë, duhet të bëjnë kompromise mes tyre.

“Normalisht se çështja e emrit është shumë e rëndësishme për VMRO-DPMNE-në, ndërsa për BDI-në është e rëndësishme të zgjidhet sa më shpejt kjo çështje, të ndryshohet emri në funksion të integrimit të vendit”.

“Nga ana tjetër, zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së është njëra ndër çështjet esenciale për BDI-në, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e ka të rëndësishme që kjo çështje të mos perceptohet si e barabartë me çështjen e ish-pjesëtarëve të vrarë të forcave maqedonase të sigurisë”,
thotë Bozhinovski.

Neziri thotë se dallimet midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së i bëjnë më të theksuara edhe reklamat qeveritare në media, në të cilat kryesisht promovohen projektet e VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, ky fakt dëshmon se BDI-ja ka pasur pozitë të dobët në qeveri.

“BDI-ja u fut në qeveri dhe deri më tani ka qëndruar brenda saj në një pozitë inferiore. Aktiviteti i BDI-së për të rikthyer pozitën e partnerit të vërtetë brenda koalicionit, gjithsesi se do të ngjallë tronditje të brendshme në qeveri”, deklaron Neziri.

Analistët theksojnë se qëndrime të kundërta midis partnerëve të koalicionit qeveritar ekzistojnë edhe rreth mbajtjes së referendumit për emrin, ndërsa më parë kanë ekzistuar edhe rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
XS
SM
MD
LG