Ndërlidhjet

Cërvenkovski: Kundër bllokimit euroatlantik


Shkupi
Shkupi

Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se për partinë që drejton, është e pranueshme çdo zgjidhje që çon drejt eliminimit të rrezikut për bllokim në Samitin e dhjetorit në Bruksel dhe e cila do të mbështetej nga kryeministri Nikolla Gruevski. Shefi i opozitës maqedonase mendon se shqiptarët mund të reagojnë ndaj mosintegrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.


Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, u shpreh se nëse nuk arrihet marrëveshje për çështjen e emrit, atëherë Greqia mund të përdorë të drejtën e vetos për bllokimin e Maqedonisë në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Cërvenkovski deklaroi se e mbështet kryeministrin Gruevski në procesin e negociatave për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit:

“Me pozicionin dhe qëndrimin tonë se e mbështesim kryeministrin Gruevski në zgjidhjen e këtij problemi, ne, në esencë demonstrojmë konstruktivitet maksimal”.

“Kjo është ajo që mund ta bëjmë. Gjithçka tjetër është në dorën e Gruevskit, kuptohet edhe përgjegjësia për rezultatin e këtij procesi”
, tha Cërvenkovski.

Kreu i socialdemokratëve, Branko Cërvenkovski, deklaroi se në këtë periudhë të gjithë faktorët politikë duhet të fokusohen që në Samitin e dhjetorit të Bashkimit Evropian të mos shënohet edhe një disfatë.

Duke e komentuar deklaratën e nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafis Haliti, se shqiptarët me ose pa maqedonasit do të integrohen në BE dhe NATO, Cërvenkovski tha se bëhet fjalë për qëndrim personal të një përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim, por nuk duhet të nënçmohet.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se bllokimi i integrimit euroatlantik që ndodh qe një kohë të gjatë, mund t’i nxisë qytetarët tanë shqiptarë të fillojnë, në mënyrë më të zëshme, të bëjnë pyetjen se deri kur, për shkak të çështjeve të pazgjidhura historike dhe të identitetit, të popullit maqedonas, do ta sakrifikojnë ardhmërinë e tyre euroatlantike”,
theksoi Cërvenkovski.

Tutje ai shtoi se kjo nuk do të thotë se mund të ndodhë ndonjë konflikt, por mund të ketë tensione dhe mosmarrëveshje.

Cërvenkovski tha se zgjidhja ideale do të ishte që të përkufizohen çështjet e hapura me Greqinë në pako, përfshirë emrin dhe identitetin kombëtar të popullit maqedonas.
XS
SM
MD
LG