Ndërlidhjet

GJND: Argumentet e ditës së tretë


GJND
GJND

Austria mbrojti pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si akt konform së drejtës ndërkombëtare. Azerbajxhani dhe Bjellorusia kundërshtuan shtetin e ri, duke thënë se krijimi i tij është në kundërshtim me këtë të drejtë.



Seancën e sotme në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës, e ka hapur Austria, ambasadori i së cilës, Helmut Tiki, ka thënë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës është konform me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

“E drejta ndërkombëtare nuk përmban dispozita që ndalojnë shpalljen e pavarësisë”, ka thënë përfaqësuesi austriak, për të shtuar se “shpallja e pavarësisë është bërë nga të zgjedhurit në rrugë diplomatike të Kosovës dhe jo nga institucionet e përkohshme”.
Delegacioni i Austrisë


Ai gjithashtu ka thënë se nuk ka kontradikta ndërmjet integritetit territorial dhe shpalljes së pavarësisë. Për të ilustruar këtë, Helmut Tiki ka thënë se “nga fillimi i viteve ’90, deklarata të pavarësisë kanë bërë edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Maqedonia dhe kjo nuk ka paraqitur shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Përfaqësuesi i Austrisë ka theksuar se “me të drejtën ndërkombëtare nuk ndalohet dhe as sanksionohet secesioni, sepse aspekti i respektimit të integritetit territorial vlen vetëm për raportet ndërshtetërore”.

Duke folur gjithnjë mbi të drejtën ndërkombëtare, ambasadori Tiki ka konstatuar se “ajo nuk sanksionon çështjen e shpalljes së pavarësisë” dhe ka shtuar se “njohja e Kosovës nga 63 vende dhe vendet fqinje dëshmon se shpallja e pavarësisë ishte konform normave ndërkombëtare”.

Në këtë kuadër, Austria ka ftuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të konstatojë se “shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”.

Në rradhët e kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës, gjatë ditës së sotme, fillimisht u rreshtua Azerbajxhani.
Delegacioni i Azerbeixhanit


Ambasadori i këtij vendi, Agshin Mahdijev, tha se “vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të ketë ndikim të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Sipas tij, “shpallja e pavarësisë nuk është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”.

“Secesioni gjithmonë ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare, nëse nuk është realizuar me marrëveshje”, ka thënë përfaqësuesi i Azerbajxhanit, Agshin Mehdijev.

Duke pohuar se “fakti që e drejta ndërkombëtare nuk e sanksionon çështjen e secesionit”, zoti Mahdijev ka thënë se “kjo nuk do të thotë që ajo të legjitimohet”.

Ai është thirrur në votimin që është bërë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për hapjen e procesit në Hagë, për të ilustruar, sipas tij, joligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Duke folur, ndërkaq, për integritetin territorial, ai ka thënë se “ky është parim fundamental në të drejtën ndërkombëtare”, megjithëse ka pranuar se “ky parim nuk është çështje e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe e së drejtës ndërkombëtare, por që si diskutim nuk mund të përjashtohet”.

Përfaqësuesi i Azerbajxhanit, në anën tjetër, ka “kontestuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje”, duke thënë se “ajo nuk i takon çdo populli ose pakice, por vetëm disave që përmbushin disa veçori të caktuara politike”.

Edhe Bjellorusia, vendi i fundit në paraqitjet e sotme, kishte qëndrim të ngjashëm me Azerbajxhanin.

Përfaqësuesja e saj, Elena Grickenko, fillimisht ka thënë se “GJND-ja është kompetente dhe e thirrur për të dhënë mendim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.
Delegacioni i Bjellorusisë

Ajo u është referuar dokumenteve të Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së Helsinkit, më saktësisht paragrafëve që kërkojnë respektimin e integritetit territorial.

“Bjellorusia respekton të drejtën e popujve për vetëvendosje, por vetëm në raste të caktuara të situatave koloniale”.

“Në rastin e Kosovës nuk mund të zbatohet parimi i vetëvendosjes që del nga pozita koloniale, sepse ajo e tillë nuk ka qenë”, ka thënë Elena Grickenko.

“Me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova ka gëzuar të gjitha të drejtat politike, ekonomike dhe kulturore si republikat tjera, me përjashtim të së drejtës për shkëputje”, ka përfunduar Elena Grickenko nga Bjellorusia.
XS
SM
MD
LG