Ndërlidhjet

Kampet në veri: Kushte të vështira për romët


Kamp në Mitrovicë
Kamp në Mitrovicë

Në veri të Mitrovicës, në dy kampet e romëve, Çesmin Llug dhe Osterod, deri tash, nga sasia e lartë e plumbit në gjak, kanë vdekur disa fëmijë. Këto konkludime janë arritur pas analizave që ka bërë Fondi për të Drejtën Humanitare, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve.





Rezultatet e analizave të bëra nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve, tregojnë gjendjen jo të mirë shëndetësore të banorëve në kampet në Çesmin Llug dhe Osterod.

Bekim Blakaj, udhëheqës i zyrës së Fondit në Prishtinë, jep më shumë hollësi.

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, së bashku me Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve në Budapest, kemi bërë hulumtim qysh në vitin 2005 dhe ka qenë e dokumentuar vdekja e fëmijëve pikërisht nga helmimi i gjakut me plumb”, thotë Blakaj.

Pavarësisht kësaj, në këto kampe vazhdojnë të jetojnë rreth 200 familje. Këto kampe gjenden afër një deponie me mbetje toksike dhe niveli i ndotjes së ajrit me plumb kalon normat e lejuara për 100.5 herë.

Kështu thonë zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Skënder Syla, nga kjo organizatë, thotë se niveli i lartë i plumbit në gjak te fëmijët, rezulton me anemi, rritje të ngadalshme, dëmtime të trurit si dhe dëmton veshkat dhe shqisën e të dëgjuarit.

“Ne kemi marrë mostrat e gjakut dhe normat e lejuara janë 10 mikrogramë për decilitër, ndërkaq në këto analiza të gjakut të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, secili ka pasur edhe mbi 65 mikrogramë për decilitër”, shpjegon Syla.

Për kushtet në këto kampe, flet edhe Latif Masurica, njëri nga banorët e kampit.

“Kushtet janë tepër të vështira. Na kanë ofruar ndihmë që të zhvendosemi në kampin tjetër, por ne nuk kemi pranuar, sepse nuk po na duket zgjidhje të zhvendosemi prej kampit në kamp”.

“Ne po kërkojmë një vendosje të përhershme, por nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje. Po vdesin njerëzit prej plumbit, niveli i plumbit është shumë i madh, edhe toka, edhe ajri janë shumë të ndotur me plumb. As Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka ndërmarrë diçka konkrete. Kanë qenë disa herë, por e kanë lënë punën në gjysmë”,
tregon Masurica.

Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë qenë që banorët nga këto kampe, të zhvendosen sa më shpejt që është e mundur.

Me këtë çështje merret edhe organizata Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, e cila ndërmjetëson midis komunitetit rom, ashkali e egjiptas dhe institucioneve të vendit.

Avdullah Mustafa, zyrtar i kësaj organizate, thotë se është duke e bërë maksimumin për t’i bindur banorët e kampit që të largohen nga aty dhe të vendosen në pjesën jugore të Mitrovicës, në Mëhallën e Romëve.

“Gjatë hulumtimit kemi zbuluar se 90 për qind e njerëzve që jetojnë në kamp, duan të jetojnë në të njëjtin vend, pra në të njëjtat kampe, por vetëm t’u përmirësohen kushtet e jetesës. Njerëzit e dinë për situatën me plumb në gjak, edhe fëmijët janë sëmurë dhe nuk dinë se si po u vjen sëmundja. Ka shumë fëmijë që kanë vdekur”, thotë Mustafa.

Deri para shpalljes së pavarësisë, çështja e kampeve në veri ka qenë kompetencë e UNMIK-ut.

Institucionet e vendit kanë ofruar vetëm asistencë për rivendosjen e njerëzve që kanë jetuar në kushte shumë të vështira dhe me probleme shëndetësore.

Kështu thotë Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

“Pas shpalljes së pavarësisë, na është bartur kjo kompetencë dhe që atëherë kemi filluar ta trajtojmë seriozisht këtë problem. Mirëpo, njerëzit hezitojnë të kthehen, nuk duan që të kthehen, ata pretendojnë që të gjejnë mundësi të udhëtojnë jashtë Kosovës dhe kjo e ka bllokuar zhvendosjen”.

“Në vazhdimësi jemi duke punuar me kryetarin e komunës së Mitrovicës dhe është gjithçka gati sa i përket institucioneve, por problemi vazhdon të mbetet te banorët e kampit. Mirëpo, ne do të fillojmë me ato familje që dëshirojnë të kthehen në anën jugore dhe shpresojmë që shembullin e tyre do ta ndjekin edhe familjet tjera”,
thekson Krasniqi.

Ndërkaq, me këtë çështje është marrë edhe Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Kemi dalë me letër të hapur duke ju drejtuar UNMIK-ut, institucioneve të vendit, UNHCR-së, prej të cilëve kemi kërkuar që urgjentisht ato familje të zhvendosen qoftë edhe përkohësisht në një vend tjetër, sepse, sipas të dhënave që kemi pasur, niveli i plumbit në ujë, në tokë dhe ajër ka qenë disa herë më i madh se që lejohet”.

“Mirëpo, ne asnjëherë nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga këto institucione dhe situata vazhdon të jetë ashtu si është”,
thotë Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Këto kampe u ngritën në verën e vitit 1999 nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, UNHCR , si një zgjidhje e përkohshme për të përballuar fluksin e refugjatëve që vërshonin pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas zyrtarëve, fillimisht ishte paraparë që këto kampe të ishin të përkohshme, prej vetëm 45 ditësh.

Por, edhe pas dhjetë vjetësh, njerëzit vazhdojnë të jetojnë aty, nën rrezikun e lartë të helmimit me plumb dhe duke refuzuar të jetojnë në kushte, siç thonë ata, të përkohshme.
XS
SM
MD
LG