Ndërlidhjet

Vendimi i BE-së godet ekonominë


Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në masë të madhe do të reflektohet në aspektin ekonomik. Kështu vlerësojnë ekspertët ekonomikë, sipas të cilëve, në vitin 2010, kriza ekonomike për Maqedoninë do të thellohet më shumë.

Ata thonë se, përveç mungesës së investimeve të huaja, vitin e ardhshëm do të mungojnë edhe investimet e kompanive vendore.

“Normalisht se mosmarrja e datës ka një impakt negativ për prosperitetin ekonomik të Maqedonisë. Ky vend, edhe ashtu, ka qenë ndër shtetet që ka vuajtur nga investimet, qofshin të brendshme, ashtu edhe të jashtme, por me një sinjal të këtillë nga Brukseli, pasiguria e shtetit edhe më tej rezulton të jetë e lartë”.

“Në çdo vend të pasigurt, investitorët, qofshin ata të vendit, apo të huaj, hezitojnë t’i kryejnë aktivitetet e tyre afariste. Duke u nisur nga kjo, unë besoj se do ta kemi shumë të vështirë që ne të dalim në një situatë më të lakmueshme, nëse kemi parasysh edhe pasojat që po i ndjejmë nga kriza globale financiare ekonomike”,
shprehet Nehat Ramadani, ekspert i ekonomisë.

I të njëjtit mendim është edhe eksperti tjetër, Dragan Nikollov, sipas të cilit, Maqedonia, me shtyrjen e datës për çeljen e negociatave me BE-në, humb shansin e përfitimit të fondeve të shumta në formën e investimeve të huaja.

Nga ana tjetër, thotë ai, Maqedonia do të cilësohet nga kompanitë e huaja si shtet i pavolitshëm për investimin e kapitalit të tyre.

“Mosmarrja e datës padyshim se reflektohet edhe në relacionet afariste me Bashkimin Evropian. Kjo e pengon zgjerimin e bashkëpunimit, e në veçanti tërheqjen e fondeve që janë paraparë për vendet që ndodhen pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Në rast se merret data, ne do të mund të arrinim më lehtë te këto fonde, që kanë një rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik. Pra, shtyrja e vendimit për marrjen e datës do të reflektohet në mungesën e mjeteve të mjaftueshme financiare, të cilat do të ishin të mirëseardhura në krizën, në të cilën ndodhet ekonomia e Maqedonisë”, thotë Nikollov.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, zgjidhja e vetme për vendin mbetet arritja e kompromisit me Greqinë për çështjen e emrit dhe marrja e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi përfitimet e Maqedonisë do të ishin të dyfishta, si në planin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

“Nëse do të merrnim datë, gjithçka do të ndryshonte, do të ndryshonte fillimisht pasiguria politike, d.m.th. do të zgjidhej çështja e emrit dhe kjo do të ishte një lehtësim shumë i madh edhe për investuesit vendas, se për momentin edhe investuesit vendas hezitojnë të investojnë”.

Në këtë rast, mendoj se pasiguria politike është indikatori bazë që ndikon në vendimmarrjen e investuesve, qofshin vendas apo të huaj. Pra, në këto rrethana nuk mund të kemi ndonjë zhvillim pozitiv”, sqaron eksperti Nehat Ramadani.

Kriza ekonomike botërore dhe problemet me Greqinë janë reflektuar në masë të madhe në Maqedoni, e cila po përballet me papunësi të lartë, që, sipas të dhënave të Entit të Statistikës, arrin në 32.7 për qind.

Për t’i shmangur pasojat në ekonomi, Qeveria, brenda vitit, dy herë riformatoi buxhetin për të ulur shpenzimet në administratën shtetërore.
XS
SM
MD
LG