Ndërlidhjet

Kush kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Hapësira e lartë ajrore e Kosovës për mbifluturime vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa fluturimet për në Kosovë dhe jashtë saj kryhen vetëm përmes dy korridoreve për hyrje dhe dalje. Hapësira ajrore kontrollohet nga kosovarët dhe NATO-ja.



Hapësira ajrore e Kosovës mbikëqyret nga dy autoritete. Kosovarët mund ta kontrollojnë hapësirën ajrore deri në 10 kilometra, ndërsa mbi këtë lartësi përgjegjësia i kalon NATO-s.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të ligjit, Republika e Kosovës “ka sovranitet të plotë dhe të paprekshëm mbi territorin e saj, si dhe ka autoritetet ekskluziv për organizimin dhe rregullimin e aktiviteteve për aviacionin civil në territorin dhe hapësirën ajrore të saj”.

Megjithatë, Marrëveshja e Kumanovës, i lë ende hapësirë NATO-s, që të thotë fjalën e fundit për hapësirën për mbifluturime.

Hapësira e lartë ajrore, pra mbi 10 kilometra, është e mbyllur për mbifluturime. Kjo hapësirë është mbyllur nga NATO-ja, që nga përfundimi i luftës më 1999, për shumë arsye, mbi të gjitha për arsye sigurie”, thotë Gjonbalaj, për të shtuar se, përveç autoriteteve kosovare, të cilat bëjnë kontrollin e hapësirës ajrore, NATO-ja i ka përgjegjësitë e veta për të ruajtur sigurinë dhe pacenueshmërinë e hapësirës ajrore të Kosovës nga çfarëdo rreziku që mund të vijë nga jashtë.
NATO-ja dhe KFOR-i po ashtu janë përgjegjës për një hapësirë ajrore që del nga territori i Republikës së Kosovës në brendi të territorit të Serbisë...

NATO-ja dhe KFOR-i po ashtu janë përgjegjës për një hapësirë ajrore që del nga territori i Republikës së Kosovës në brendi të territorit të Serbisë, pra me një thellësi prej 5 km në territorin e Serbisë, që quhet Zona e Sigurisë Ajrore”.

“Kjo zonë është aty që nga përfundimi i luftës dhe është me qëllim të sigurimit se hapësira ajrore e Kosovës nuk cenohet në asnjë mënyrë nga fqinji ynë verior. Fluturimet në këtë zonë janë rreptësisht të ndaluara, përveç me leje speciale nga NATO-ja, dhe kjo hapësirë ajrore përdoret vetëm për fluturime ushtarake për misionin e KFOR-it në Kosovë”,
shprehet Gjonbalaj.

Zyrtarët e KFOR-it, përmes përgjigjeve me shkrim, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore në Kosovë është nën kontrollin e KFOR-it, në kuadër të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake midis KFOR-it, Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë, të nënshkruar më 9 qershor, 1999.

Hapësira ajrore në Kosovë është e mbyllur për Trafikun e Përgjithshëm Ajror, me përjashtim të dy korridoreve për hyrje dhe dalje nga Kosova, me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës si destinacion”.

“Për këto korridore, Shërbimet e Trafikut Ajror ofrohen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP), mbikëqyrja e sigurisë nga Autoriteti Civil i Aviacionit, ndërkaq licencat komerciale jepen nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit”,
thonë përfaqësues të KFOR-it.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, sipas autoriteteve të Serbisë, është i mbyllur. Rrjedhimisht, Serbia nuk lejon fluturimin nëpër territorin e saj të atyre aeroplanëve që destinacion kanë Kosovën.

Driton Gjonbalaj thotë se autoritetet serbe vazhdojnë të përhapin informacione të rrejshme se Aeroporti i Prishtinës nuk është funksional, ndërkohë që ky aeroport ka numrin më të madh të fluturimeve në rajon, sikurse edhe të udhëtarëve.
Në rregulloret ajrore për fluturim, që i lëshon NATO-ja për Ballkanin, në mënyrë shprehimore thuhet se çfarëdolloj informacioni i lëshuar nga autoritetet serbe në raport me hapësirën ajrore të Kosovës, është i pavlefshëm.

“Autoritetet serbe, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, kanë hapur informacione të rrejshme për operatorët e kompanive ajrore, duke thënë se ANP është i mbyllur”.

“Për shkak të këtyre ndërhyrjeve të paligjshme të autoriteteve serbe edhe në rregulloret ajrore për fluturim, që i lëshon NATO-ja për Ballkanin, në mënyrë shprehimore thuhet se çfarëdolloj informacioni i lëshuar nga autoritetet serbe në raport me hapësirën ajrore të Kosovës, është i pavlefshëm
”, thekson Gjonbalaj.

Por, pengesa e Serbisë ka koston e vet. Në mungesë të korridoreve të reja ajrore, fluturimet për dhe nga Prishtina zgjasin më gjatë dhe kushtojnë më shumë. Sërish Driton Gjonbalaj:

“Çdo fluturim për në ANP, por edhe nga ANP duhet detyrimisht, nëse vjen nga ana perëndimore, të kalojë mbi Shqipëri, Maqedoni dhe të hyjë në Kosovë përmes një korridori që kalon përafërsisht mbi Shkup”.

“Ky fakt ka bërë që fluturimet e kompanive ajrore të jenë më të gjata se ç’duhet dhe si refleksion i saj të rritet kostoja e fluturimit
”, thotë Gjonbalaj.

Autoritetet e Kosovës kanë arritur marrëveshje me ato të Shqipërisë për të hapur një korridor të ri ajror në afërsi të Kuksit. Kërkesa, sipas Gjonbalajt, i është bërë Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, por miratimi i saj, për shkak të procedurave të gjata, do të marrë kohë.
XS
SM
MD
LG