Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se agjencitë amerikane të kundërzbulimit kishin informata të mjaftueshme për ta penguar përpjekjen për sulmin në aeroplanin amerikan, në Ditën e Krishtlindjeve, por dështuan që ta kuptojnë tablonë më të gjerë.
“E fundit është kjo: Qeveria amerikane kishte mjaft informata që ta zbulonte dhe mundësisht ta prishte sulmin në Ditën e Krishtlindjeve, por komuniteti ynë i kundërzbulimit dështoi t’i lidhë këto pika, që do ta vinin të dyshuarin në listën e ndalim-fluturimit”.
“Ky nuk është dështim i grumbullimit të informatave, por dështim për t’i integruar dhe kuptuar informatat që i kishim”, tha Obama.
Ai e quajti dështimin të papranueshëm dhe tha se ka zero tolerancë për këto lloje gabimesh që u bënë.
“Unë do të pranoj se, për nga natyra, kundërzbulimi nuk është i përsosur, por është tejet e qartë se kundërzbulimi nuk ishte analizuar plotësisht. Kjo është e papranueshme dhe nuk do ta toleroj”, tha presidenti Obama.
Përpjekja e nigeriasit 23-vjeçar, Umar Faruk Abdulmutallab, për të shkaktuar shpërthim në aeroplanin, i cili duhej të ateronte në Detroit më 25 dhjetor, u pengua nga udhëtarët, të cilët i vërejtën flakët dhe vepruan shpejt që t’i shuajnë.
Abdulmutallab u arrestua dhe tash ndodhet në paraburgim federal.
Pas incidentit, Obama menjëherë urdhëroi shtrëngimin e procedurave të skanimit të udhëtarëve nëpër aeroporte dhe u urdhëroi këshilltarëve të sigurisë që t’i rishikojnë mangësitë e mundshme.
Komentet e tij, të martën, u bënë pas takimit me drejtuesit e pothuaj dhjetë agjencive në Shtëpinë e Bardhë.
“I thirra këta drejtues në Shtëpinë e Bardhë për shkak se përballemi me një sfidë urgjente. Siç e pamë në Krishtlindje, Al Kaida dhe aleatët e saj ekstremistë nuk do t’i ndalin përpjekjet e tyre për të vrarë amerikanë”.
“Ne jemi të vendosur që jo vetëm t’i zbulojmë këto plane, por edhe t’i prishim dhe ta mundim rrjetin e tyre njëherë e përgjithmonë”, tha Obama.
Presidenti e lëvdoi punën e agjencive të kundërzbulimit, të zbatimit të ligjit dhe agjencive për sigurinë e atdheut për grumbullimin e informatave, për të cilat tha se kanë penguar komplote dhe kanë shpëtuar jetë të amerikanëve prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.
Por, Obama e karakterizoi praninë e Abdulmutallabit në aeroplanin amerikan si dështim të sistemit kombëtar të sigurisë.
“Kur një terrorist i dyshuar është në gjendje të hyjë në aeroplan me eksploziv në Ditën e Krishtlindjeve, atëherë sistemi ka dështuar në mënyrë katastrofike”.
“Është përgjegjësia ime që të zbuloj përse dhe t’i korrigjoj dështimet e tilla, në mënyrë që të mund të parandalojmë sulme të ngjashme në të ardhmen”, tha presidenti amerikan. (V.P.)