Ndërlidhjet

A luftojnë celularët sëmundjen e Alchaimerit?


Një studim në SHBA sugjeron se përdorimi i telefonave celularë mund të ndihmojë parandalimin e dëmtimeve të trurit nga sëmundja e Alchaimerit dhe mund të rikthejë ca nga kujtesa e humbur. Por, kërkuesit evropianë e kanë trajtuar raportin me kujdes, duke thënë se duan të jenë të sigurt se ai nuk është ndikuar nga kompanitë celulare.



Hulumtimet e bëra publike këtë javë nga revista “Journal of Alzheimer’s Disease” (Revista e sëmundjes Alchaimer), thonë se përdorimi i gjatë i telefonave celularë mund të ndihmojë të ndalet humbja e kujtesës te njerëzit që vuajnë nga sëmundja e Alchaimerit.

Studimi i kryer ndaj minjve në laborator, sugjeron se ekspozimi i gjatë ndaj valëve elektromagnetike që përdorin telefonat celularë, gjithashtu mund të ndihmojë rikthimin e një pjese të kujtesës së humbur.

Kërkimet janë kryer nga një grup neuro-shkencëtarësh, inxhinierë elektrikë dhe neurologë nga universitetet në Japoni dhe Kinë, si dhe universiteti i Floridës Jugore në SHBA.

Autori kryesor i studimit, Geri Arendash, nga Universiteti i Floridës Jugore, thotë se rezultatet janë befasi e madhe dhe japin shpresë për zhvillimin e trajtimit të sëmundjes së Alchaimerit pa barna.

Arendash thotë se ai ka pritur që ekspozimi ndaj celularëve të ketë efekte të dëmshme për trurin. Në vend të kësaj, thotë ai, shkencëtarët sugjerojnë se minjtë janë mbrojtur nga efektet e “çmendurisë”, nëse u ekspozohen valëve elektromagnetike në moshën e re.

Arendash po ashtu thotë se ekspozimi ndaj rrezatimit elektromagnetik të telefonave celularë, ka treguar se te disa minj është rikthyer kujtesa e humbur, e cila filloi pasi në trurin e tyre u injektuan qeliza të sëmura të Alchaimerit.

Ai thotë se studimi hap një fushë tërësisht të re të kërkimeve dhe se ekipi i tij po e modifikon eksperimentin, për të parë nëse mund të prodhohen rezultate më të shpejta dhe të fillohet testimi te njerëzit.

Në Evropë, kërkuesit që kanë specializuar në sëmundjen e Alchaimerit, thonë se studimi i ri është interesant, por vetëm preliminar. Në mesin e tyre është dhe Rebeka Vud, drejtuese e qendrës për trajtimin e Alchaimerit në Britani.

“Fakt i thjeshtë i jetës është se shumë njerëz përdorin telefona celularë. Pra, nëse kjo do të ishte e saktë, atëherë ata do të shëroheshin vetë. Nuk do të thosha se është e dëmshme dhe njerëzit nuk duhet t’i përdorin, sepse celularët sot janë pjesë normale e jetës. Por, do të rekomandoja të bëhen kërkime të mëtejme”, thotë Vud.

Specialistët tjerë tërheqin vërejtjen se nevojitet shumë punë për t’u siguruar se mund të ketë ndonjë dobi afatgjate nga ekspozimi i gjatë i njerëzve ndaj rrezatimit elektromagnetik, si dhe të garantohet se ai nuk është i dëmshëm.

Volfgang Losher, kreu i Departamentit të Farmakologjisë dhe Toksikologjisë në Universitetin e Mjekësisë Veterinare në Hanover të Gjermanisë, tashmë dy dekada po zhvillon kërkime për rrezatimin elektromagnetik te minjtë.

Losher thotë për Radion Evropa e Lirë se ishte “zgërdhirë” kur kishte lexuar për efektet e dobishme të studimit të ri, për shkak se, sipas tij, një kërkim i tillë është “biznes tejet i politizuar dhe ndodhet nën presion të madh nga industria telefonike dhe shumë industri të tjera”.

“Njëzet vjet më parë dolën publikimet e para për rrezikun nga kanceri në tru nga përdorimi i tepruar i telefonave celularë. Por, reagimi i menjëhershëm i industrisë së celularëve ishte që të gjenden efektet pozitive nga përdorimi i telefonave celularë”, pohon kërkuesi gjerman.

Losher thotë se nuk e ka të qartë nëse edhe kompanitë e celularëve kanë gisht dhe kanë kontribuar me pajisje për kërkimet, detaj që, sipas tij, mund ta ketë ndryshuar tërë ndikimin e studimit. (V.P.)
XS
SM
MD
LG