Ndërlidhjet

Planet për shtrirjen e pushtetit lokal në veri


Mitrovica
Mitrovica

Zyrtarë nga Ministria e Pushteti Lokal bëjnë të ditur se janë në konsultime të vazhdueshme me krerë të institucioneve të vendit dhe ata ndërkombëtarë për hartimin e strategjisë për kthimin e autoritetit në veri të Kosovës. Ndërkaq, përfaqësues të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se Qeveria duhet të jetë më e vendosur në këtë drejtim.


Përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se janë në përfundim të analizave dhe vlerësimeve për kthimin e autoritetit në veri të Kosovës.

Ministri Sadri Ferati thotë se interesimit i qytetarëve serbë të Mitrovicës për t’u bërë pjesë e ekipeve përgatitore për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, ka rritur shpresat për realizimin e projektit të decentralizimit.

“Kemi sinjale më pozitive, madje në disa drejtime dhe në kontaktet direkte që kemi me qytetarë, shihet që është një ambient tjetër”.

“Gjatë konkurrimit për konkursin për ekipet përgatitore, nuk e di numrin definitiv, ngase dje ka përfunduara konkursi, por unë mendoj që numri i ofrohet 50-shit, që është një numër shumë më i madh nga ai që ne e kemi pritur. Kemi edhe sinjale të tjera”,
shprehet Ferati.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thekson se në bashkëpunim me presidencën, Qeverinë edhe partnerët ndërkombëtarë, po shqyrtohen mundësitë më të mira për qasje në veri të Kosovës.

Sipas tij, të gjitha pretendimet brenda konceptit janë që të sigurohet qasja fizike në atë pjesë të Kosovës dhe të fillojnë investimet.

“Jemi duke bërë analiza, duke u konsultuar me të gjithë partnerët, duke përfshirë edhe udhëheqësit më të lartë, presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin, pastaj partitë politike, pozitë, opozitë, si dhe partnerët ndërkombëtarë”.

“Pra, jemi duke analizuar se cili është koncepti më i mirë dhe cila do të jetë strategjia e realizimit të atij koncepti. Tash për tash jemi në konsultime. Ende nuk kemi arritur një dokument përfundimtar, mbi të cilin do të kishin filluar lëvizjet tona
”, deklaron Ferati.

Megjithatë, Ferati sqaron se pengesat më të mëdha në këtë drejtim vijnë nga Beogradi, si dhe nga strukturat paralele serbe të sigurisë, të cilat kërcënojnë dhe frikësojnë qytetarët.

“Çështja e veriut të Kosovës është një çështje shumë komplekse dhe është shumë e vështirë. Arsyet dihen, edhe interferimi i Beogradit, edhe krimi i organizuar, mungesa e sundimit të ligjit dhe presionet e fuqishme”.

“E kam thënë edhe më herët që ajo pjesë e Kosovës është ambienti më i pasigurt në regjion dhe ndoshta në Evropë, ku qytetarët kanë presion dhe nuk janë në situatë që të shprehim lirshëm mendimet e tyre, organizimet e tyre politike dhe reflektimin e interesit
”, shpjegon Ferati.

Nga ana tjetër, Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), konsideron se për ta ndryshuar gjendjen në veri të Kosovës, duhet të ketë një vendosmëri më të madhe të institucioneve të Kosovës.

“Kemi një mungesë vullneti nga Qeveria dhe nga kryeministri, drejtpërdrejt, për të ndërmarrë hapa konkret në veriun e Kosovës. Strategjitë e mira në letër, strategjitë që kanë gjuhë të mirë në letër, jo gjithmonë bëhen realitet”.

“Për t’u berë realitet kërkohet një vendim politik, kërkohet një guxim politik, do të thosha, i Qeverisë dhe i kryeministrit, në mënyrë që të kemi zbatim. Në anën tjetër, mendoj se ministria vetë nuk ka mundësi, pavarësisht vullnetit të mirë, të bëjë një strategji”,
shprehet Tahiri.

Tahiri, gjithashtu, thotë se një nga mundësitë për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës do të ishte edhe krijimi i tri komunave, ku fituese kanë dalë partitë politike shqiptare, nga rezultati i zgjedhjeve të 15 nëntorit.

“Një mundësi do të ishte, po ashtu, që nga këto rezultate të zgjedhjeve që kanë dalë, të fillojë një ndërtim institucional në Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Dhe, në të njëjtën kohë të bëhet një strategji, e cila do të ishte e zbatueshme”, thekson Tahiri.

Qeveria e Serbisë është zotuar të vazhdojë financimin e strukturave të saj paralele serbe në Kosovë, edhe për vitin 2010. Në kuadër të buxhetit të Serbisë për këtë vit, Ministrisë Serbe për Kosovën i janë ndarë rrethe 42 milionë euro.

Ndërsa, sipas përfaqësuesve të shtetit serb, secila ministri në Qeverinë e Serbisë do t’u përkushtohet me shuma të caktuara projekteve të ndryshme në Kosovë.
XS
SM
MD
LG