Ndërlidhjet

Irani refuzon propozimin e OKB-së



Irani nuk ka pranuar pjesën kyçe të propozimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me programet bërthamore. Lajmi bëhet i ditur nga diplomatë, sipas të cilëve Teherani ka informuar Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore rreth qëndrimit të tyre.

Propozimi parashihte pasurimin e uraniumit në një vend të tretë, si mënyrë për të adresuar shqetësimet e perëndimit se Irani synon prodhimin e armëve bërthamore.

Burimet diplomatike thonë se Irani e ka hedhur poshtë propozimin duke kërkuar alternativa të reja, që nuk do të përfshinin eksportin e gjithë sasisë së uraniumit në shkëmbim të karburantit bërthamor. Kjo do t’i hapte rrugë që një pjesë e pasurimit të uraniumit të bëhej në Iran.

Propozimi iranian nuk ka gjasa të pranohet nga vendet perëndimore, pasi kjo nuk do të ulte ndjeshëm sasinë e uraniumit të pasuruar që zotëron Irani.
Nuk është ende e qartë nëse përgjigja iraniane ka qenë më shkrim apo me gojë.

Propozimi i Kombeve të Bashkuara ishte hartuar në tetor gjatë bisedimeve mes agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore, Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha ku hyjnë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina.

Refuzimi i Iranit i hap rrugë Uashingtonit dhe vendeve aleate të shohin mundësinë e një rrethi të katërt sanksionesh.
XS
SM
MD
LG