Ndërlidhjet

Obama: Viteve të luftës po u vjen fundi


Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit, 27 janar 2010.
Presidenti Barak Obama gjatë fjalimit, 27 janar 2010.

Barak Obama garoi për presidencën amerikane si një kandidat kundër luftës dhe, në fjalimin e parë vjetor për gjendjen në vend, tha se administrata e tij me sukses i ka trajtuar luftërat në Afganistan dhe Irak.

Megjithëse në vitin e parë në detyrë, ai urdhëroi dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, për të ndihmuar në mposhtjen e kryengritjes së talibanëve. Obama tha se ai është i bindur se po shihet fundi i luftimeve.

Në Afganistan, ne po i rrisim trupat tona dhe i trajnojmë forcat afgane të sigurisë që ato të mund ta marrin përgjegjësinë në korrik, 2011, dhe trupat tona të fillojnë të kthehen në shtëpi. Ne do ta shpërblejmë qeverisjen e mirë, punën për të reduktuar korrupsionin dhe mbështetjen e të drejtave të të gjithë afganëve, si burrave, ashtu dhe grave”, tha Obama.

Sa i përket luftës në Irak, luftë të cilën Obama e kishte kundërshtuar qysh nga fillimi kur ishte senator në legjislacionin e shtetit Ilinoi, ai tha se edhe ajo po merr fund.

“Ndërsa po luftojmë Al Kaidën, kemi përgjegjësinë që Irakun t’ia lëmë popullit të tij. Si kandidat, premtova se do t’i jap fund kësaj lufte, dhe kjo është ajo që po bëj si president. Të gjitha trupat tona luftarake do të kthehen deri në fund të gushtit. Ne do ta mbështesim Qeverinë irakiane dhe do të vazhdojmë të jemi partnerë me popullin irakian, për të promovuar paqe dhe stabilitet rajonal”, tha presidenti amerikan.

Sa i përket rrjetit terroist Al Kaida, Obama tha se në vitin e kaluar, “qindra” luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të Al Kaidës, përfshirë udhëheqës të lartë, janë kapur apo vrarë, shumë më tepër se në vitin 2008.



Obama gjithashtu nënvizoi një arritje tjetër në politikën e jashtme: marrëveshjen për reduktimin e armatimit bërthamor, e cila do ta trashëgojë marrëveshjen START nga viti 1991.

Obama këtu e përmendi takimin e ardhshëm të liderëve botërorë për të siguruar materialet bërthamore, si suksesin e dytë të politikës së jashtme gjatë vitit të parë në detyrë.

Për të reduktuar stoqet dhe lansuesit, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po i kompletojnë negociatat më gjithëpërfshirëse për kontrollin e armatimit në afro dy dekada. Në samitin bërthamor në prill, ne do t’i ulim bashkë 44 vende këtu në Uashington, për qëllimin e qartë: të sigurohen të gjitha materialet bërthamore në botë brenda katër vjetëve, që ato kurrë më të mos bien në duart e terroristëve”, tha Obama.

Por, pjesa më e madhe e fjalimit të Obamës u fokusua në ekonominë. Sipas shumë ekonomistëve, teknikisht recesioni ka marrë fund, por papunësia e madhe, thonë ata, i bën shumë biznese të kenë kujdes kur marrin punëtorë.

Papunësia në SHBA ka shkuar mbi 10 % dhe shumë amerikanë e fajësojnë Obamën se ka shpenzuar tepër energji për reformat në sistemin shëndetësor, si dhe për luftërat në Irak dhe Afganistan.

Anketat e opinionit tregojnë se amerikanët janë të ndarë në mendimin nëse Obama po e bën punën mirë apo jo. Ky është lajm i keq për presidentin, i cili e kaloi muajin e parë në detyrë me një popullaritet prej 75 %.

Robert Spicer, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut, tha se, për këtë arsye, pjesën më të madhe të fjalimit vjetor Obama ia kushtoi ekonomisë, uljes së taksave dhe programeve për krijimin e vendeve të punës.

“Ekonomia është shqetësimi kryesor sipas sondazheve të opinionit. Është një ndjenjë e përhapur se Obama nuk ka shpenzuar kohë sa duhet për ekonominë dhe, si rrjedhojë, mund të ketë pasoja politike. Prandaj, ai vërtet dëshiron t’i kthehet përqendrimit në ekonomi, ku papunësia është ende 10%, rritja e vendeve të punës është e ngadalshme dhe ekonomia shumë ngadalë po rimëkëmbet”, tha Spicer.

Spicer i tha Radios Evropa e Lirë se amerikanët janë të lodhur nga ngatërresat e jashtme pas tetë vjetësh luftë në Afganistan dhe afro shtatë vjet në Irak. Ata kanë nevojat e veta, tha ai, dhe presin që Qeveria të fokusojë vëmendjen tek ato. (V.P.)
XS
SM
MD
LG