Ndërlidhjet

Dëshmitarët e pambrojtur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese


Mbrojtja e dëshmitarëve nga kërcënimet apo frikësimet ka qenë dhe mbetet njëra nga sfidat më të mëdha për sistemin gjyqësor në Kosovë. Kjo çështje është ngritur vazhdimisht edhe në raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare mbi drejtësinë.

Në mesin e tyre është edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian. Shefi i Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komuniteteve në këtë organizatë, Uolf Mishel Mors, thotë se incidentet e frikësimit të dëshmitarëve vazhdojnë të pengojnë funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë, sidomos në rastet penale të profilit të lartë.

“Ekziston një shqetësim në rritje se dëshmitarët mund të jenë shumë të frikësuar që t’i ndihmojnë autoritetet në luftimin e krimit, sidomos krimit të organizuar, për shkak se ata nuk kanë besim në sistemin e mbrojtjes së dëshmitarëve”.

“Në Kosovë, shumica e akuzave (siç janë rastet e krimeve të luftës) janë bazuar në dëshmitarë okularë. Nëse nuk ka pasur dëshmitarë okularë, nuk ka pasur raste”
, thotë Mors.

Ai thotë se Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ka vërejtur se kërcënimet dhe mosgatishmëria për të dëshmuar, kanë ardhur si pasojë e mosfunksionimit të duhur të sistemit të mbrojtjes.

“OSBE-ja ka vërejtur se, pavarësisht nga ngurrimi i dukshëm i dëshmitarëve që të flasin haptas në gjykatë lidhur me kërcënimet e mundshme, indikacionet e frikësimit janë të qarta. Praktika e ndryshimit të deklaratave për kryesin e dyshuar, dhënë gjatë hetimit, prej deklaratave fajësuese, deri te deklaratat shfajësuese për të pandehurin në gjykim, japin shenja që dëshmitari mund të ketë qenë i kërcënuar”.

“Kësaj gjendjeje të dëshmitarëve i ka kontribuar edhe fakti që shumë nga qytetarët nuk kanë besim në aftësitë e autoriteteve për të ofruar mbrojtje të duhur”
, deklaron Mors.

Ai gjithashtu thekson se grupet e krimit të organizuar janë duke u bërë më të fuqishme në Kosovë. Dëshmitarët e kërcënuar, sipas tij, gjithnjë e më pak ka gjasa që të paraqiten në gjykatë.

Mors thotë se ky aspekt i rëndësishëm në luftimin kundër krimit është i dobët dhe kjo bën që kriminelët të mbeten më pak të dëmtuar.

Por, nuk është vetëm Mors që kritikon institucionet për mosmbrojtjen e dëshmitarëve. Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, thotë se mungesa e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve po dëmton shumë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Dragusha mendon se mungesa e këtij ligji bën që të ketë ngecje në luftimin e formave më të rënda të krimit në vend.

“Në fakt, mungesa e infrastrukturës adekuate ligjore, që lidhet me dëshmitarët bashkëpunues, është shumë e dëmshme, sepse e dobëson forcimin e sundimit të ligjit, respektivisht e pengon luftën kundër formave më të rënda të krimit në Kosovë: krimit të organizuar, trafikimit me njerëz, trafikimit me narkotikë etj.”, thotë Dragusha.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, konsideron se mungesa e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve po vështirëson punën e gjyqtarëve në zgjidhjen e shumë rasteve të rënda. Sipas saj, ligji do të miratohet gjatë këtij viti, por hyrja në fuqi e tij do të vonojë.

“Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve është i përfshirë në strategjinë legjislative për Ministrinë e Drejtësisë për këtë vit dhe është paraparë si termin i fundit që të dorëzohet në Qeveri, për t’u miratuar paraprakisht më 31 mars të këtij viti”.

“Nga ana tjetër, është ligj mjaft i kushtueshëm. Unë mendoj se në këtë vit ka hyrë në strategji legjislative dhe do të fillojë të zbatohet në vitin e ardhshëm”
, deklaron Kelmendi.

Ndryshe, në draft-ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve thuhet se zbatimi i programit të mbrojtjes për dëshmitarin bëhet vetëm nëse ai ndodhet në gjendje rreziku.

Disa nga masat mbrojtëse, të cilat mund të vendosen për personat që duhen mbrojtur, janë: ndryshimi i identitetit, ndryshimi i vendbanimit, dhënia e dokumenteve të rreme, mbrojtja e përkohshme e identitetit etj.

Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, sipas kryetarit te Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, duhet të jetë i veçantë, pasi që, siç shprehet ai, Kosova është një vend i vogël dhe dëshmitarët mund të jenë në rrezik.

“Sigurisht, për rrethanat kosovare është i domosdoshëm ndërtimi i instrumenteve të veçanta për këtë legjislacion, siç është zhvendosja e personave jashtë Kosovës, e që për rrethanat e shteteve të tjera nuk është problem”, thotë Dragusha.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, që nga viti 2003, ka publikuar raporte tematike dedikuar çështjes së mbrojtjes së dëshmitarëve, në të cilat përmendej nevoja për zhvillimin e një sistemi më efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe rekomandohej legjislacioni specifik, i cili do t’i adresonte nevojat e sistemit të drejtësisë për këtë çështje.
XS
SM
MD
LG