Ndërlidhjet

Pekini ashpërson retorikën ndaj Uashingtonit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pekini i ka rritur kritikat ndaj planeve të Shteteve të Bashkuara për t’i shitur armë Tajvanit, duke thënë se shitja e tillë do ta dëmtonte sigurinë kombëtare të Kinës.


Kina e ka ashpërsuar retorikën në mosmarrëveshjen rreth planit të Shteteve të Bashkuara për t’i shitur armë Tajvanit.

Vërejtjet janë bërë nga ministri i Jashtëm, Jang Xhieqi, deklarata e të cilit u lexua në televizionin shtetëror.

“Shtetet e Bashkuara veprojnë gabimisht dhe seriozisht i shkelin marrëveshjet me Kinën, veçanërisht Komunikatën e 17 gushtit. Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë vrazhdë në punët e brendshme të Kinës dhe e kanë dëmtuar sigurinë kombëtare të Kinës, si dhe qëllimin madhor të ribashkimit. Kina është fuqimisht kundër këtij hapi të SHBA-ve”,
ka thënë Xhieqi.

Ministri i Jashtëm kinez ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i respektojnë interesat dhe shqetësimet kryesore të Kinës dhe menjëherë ta tërheqin vendimin e gabuar për t’i shitur armë Tajvanit, si dhe të pushojnë së shituri armë Tajvanit, me qëllim që të shmangin dëmtimin më të gjerë të marrëdhënieve kinezo-amerikane.

Xhieqi ishte zyrtari më i lartë kinez që deri sot ka denoncuar planin për shitjen e armëve në vlerë prej 6.4 miliardë dollarë.

Në bazë të ligjit në SHBA, Agjencia për Bashkëpunim në fushën e Sigurisë pranë Departamentit të Mbrojtjes, e ka njoftuar Kongresin për paketën e re të shitjes së armëve, e cila është pjesë e paketës, që fillimisht e kishte marrë zotimin nga administrata Bush.

Paketa e re përfshin helikopterë 60 UH-60 Black Hawk, dy anije për zbulimin e minave, 114 sisteme mbrojtëse Patriot, 12 predha Harpun kundër anijeve, predha që godasin objektet në tokë, si dhe pajisje, komunikime dhe teknologji përkatëse.

Paketa nuk përfshin nëndetëse dhe aeroplanë luftarakë F-16, që i pati kërkuar Tajvani.

Pekini ka reaguar me ashpërsi, duke thënë se do ta pezullojë shkëmbimin ushtarak me Shtetet e Bashkuara, ta rishikojë bashkëpunimin në fushat kryesore, si dhe të vendosë sanksione ndaj kompanive private që janë përfshirë në shitjen e armëve, në qoftë se Uashingtoni nuk e anulon dërgesën e re të armëve.

Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Krouli, e mbrojti planin e shitjes, duke e quajtur të nevojshëm për të stabilitetin rajonal.

“Ky është demonstrim i qartë i përkushtimit se kjo administratë do ta furnizojë Tajvanin me armët e nevojshme mbrojtëse, ashtu siç është paraparë në Aktin për Marrëdhëniet me Tajvanin. Ne mendojmë se ky veprim është konzistent me politikën e Shteteve të Bashkuara për Kinën, bazuar në tri komunikatat e përbashkëta mbi aktin për Marrëdhëniet me Tajvanin, dhe kontribuon për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Gjirin e Tajvanit”,
ka thënë Krouli.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi kryesor me armë i ujdhesës, ndërkohë që Kina e kundërshton shitjen e armëve amerikane Tajvanit, të cilin e konsideron si provincë të saj.

Prej vitit 1949, kur forcat nacionaliste u larguan në ujdhesë pasi e humbën luftën nga komunistët, Pekini është kërcënuar se do të përdorë forcën për ta kthyer nën kontroll Tajvanin, nëse ai shkon drejt pavarësisë formale.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë tash u acaruan pasi në vitin 2009 liderët e dy vendeve u zotuan ta përmirësojnë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Pekinit dhe Taipeit.

Megjithëse bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armatimit bërthamor dhe çështje të tjera, Pekini dhe Uashingtoni kanë mospajtime mbi tregtinë, kontrollin e rreptë të valutës kineze, politikat në Tibet dhe cenzurën në internet. (V.P).


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG