Ndërlidhjet

Rumania, pjesë e mbrojtjes raketore amerikane



Presidenti rumun, Trajan Bashesku, ka thënë se vendi i tij synon të jetë pjesë e mbrojtjes raketore amerikane, duke i lejuar kësisoj Shteteve të Bashkuara të vendosë pajisjet sinjalizuese si pjesë e sistemit të mbrojtjes raketore.

Bashesku e ka dhënë këtë njoftim pasi Këshilli Suprem i Mbrojtjes, kuvendi më i lartë i mbrojtjes në Rumani, miratoi marrëveshjen.

Ajo tani duhet të miratohet nga Parlamenti, i cili ndryshe njihet për mbështetjen që i ofron partneritetit politik, ekonomik dhe ushtarak të Qeverisë me Perëndimin.

"Sinjalizuesit tokësorë do të vendosen në territorin e Rumanisë, si pjesë e sistemit mbrojtës amerikan. Bazuar në kalendarin, mbi të cilin jemi pajtuar me palën amerikane, komponentët e lokalizuar në territorin rumun do të operacionalizohen më 2015-ën”
, ka thënë Bashesku.

Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi mbrojtës raketor për synim ka të mbrojë aleatët evropianë nga ndonjë sulm i mundshëm prej Iranit, vend ky i cili ka sforcuar aftësitë raketore.

Ideja për një sistem të mbrojtjes raketore në Evropë ka dalë gjatë presidencës së Xhorxh Bushit. Në bazë të atij plani, pajisjet raketore është dashur të vendoseshin në Poloni, kurse radarët në Republikën Çeke.

Rusia ka kundërshtuar vendosjen e elementeve të mbrojtjes raketore aq afër kufijve të saj dhe në vendet, të cilat dikur ishin në sferën e ndikimit rus.

Moska, gjithashtu, pati kundërshtuar insistimin e Shtëpisë së Bardhë, zyrtarët e së cilës pohonin se sistemi nuk ka për shënjestër Moskën, por parandalimin e sulmeve potenciale nga Irani.

Presidenti Obama ndryshoi planin e zotit Bush në shtatorin e kaluar, duke favorizuar një sistem detar të mbrojtjes raketore, me mundësi të shkatërrimit të projektilëve iranianë.

Ky hap ishte parë si pjesë e përpjekjeve të Obamës për të përmirësuar raportet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, edhe pse këto pohime ishin hedhur poshtë nga Shtëpia e Bardhë.

Moska ende nuk ka reaguar ndaj lajmeve se një vend anëtar i NATO-s, Rumania, do të jetë nikoqire e elementeve të sistemit amerikan.

Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Fillip Kroulli, ka thënë se sistemi i mbrojtjes raketore ka pasur gjithmonë për synim sinjalizimin dhe mbrojtjen nga një sulm prej Iranit.

"Është pikërisht ajo çfarë kemi thënë gjatë gjithë kohës, se do t'i mbrojmë interesat tona dhe të aleatëve tanë. Ne po e shohim këtë kërcënim në rritje, ashtu siç kemi thënë”.

“Qasja jonë e ndryshuar, në fakt, është hartuar për të adresuar kërcënimet potenciale që vijnë nga rajoni i Iranit. Dhe, sa për Rusinë, e kemi bërë të qartë në vazhdimësi, se nuk është një sistem që ka për synim Rusinë”
, ka thënë zoti Kroulli.

Ai, gjithashtu ka thënë se Polonia, së bashku me disa vende të tjera, janë duke u shqyrtuar si kandidate, për të mundësuar mbrojtjen e gjithë Evropës nga sistemi amerikan.

Pjesa e këtij sistemi, që do të vendoset në Rumani, do të mbulojë vetëm Evropën jugore, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit. (A.V.)
XS
SM
MD
LG