Ndërlidhjet

Përfundon protesta e policëve


Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se ka përfunduar protesta e njësiteve speciale policore, të cilët me disa kërkesa kishin bojkotuar punën. "Puna policore dhe angazhimi i tyre në detyra ditore ka vazhduar dhe çdo gjë i është kthyer normalitetit", ka njoftuar këshilli i përfaqësuesve të këtyre njësiteve.


Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se ka përfunduar protesta e njësiteve speciale policore, të cilat me disa kërkesa kishin bojkotuar punën dhe ishin mbledhur të enjten në Qendrën e trajnimit në Kishnicë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se sot gjithçka i është kthyer rutinës, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet autoriteteve përgjegjëse dhe këshillit të përfaqësuesve të njësive të specializuara të policisë, për rishikimin e ngritjes së pagave.

“Është marrë vendim që të bëhet rishikimi për një ngritje pagash. Diku rreth 3,5 milionë do të ketë shtesë për implementim të pagave”, njoftoi Kelani.

"Puna policore dhe angazhimi i tyre në detyra ditore ka vazhduar dhe çdo gjë i është kthyer normalitetit",
ka njoftuar Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara të Policisë së Kosovës.

Moszbatimi i Ligjit për Policinë e Kosovës, mosrritja 100 % e pagave bazë, si dhe mosndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, patën shtyrë një numër njësish speciale të Policisë së Kosovës t’i shprehin pakënaqësitë e tyre, duke mos punuar.

Njoftimet për arritjen e marrëveshjes pasojnë bisedimet maratonike që ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, zhvilloi me përfaqësuesit e policëve të pakënaqur gjatë natës së mbrëmshme.

Në këtë takim, përfaqësuesit e policëve të pakënaqur kanë bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp, se “zyrtarët policorë u njoftuan me vendimin se do të rishikohen dhe korrigjohen të gjitha gabimet që janë shfaqur në sistemin aktual të pagave nga një grup punues, përfshirë edhe kompensimin në mënyrë retroaktive”.(E.P.)
XS
SM
MD
LG