Ndërlidhjet

Zero transparencë në përcaktimin e buxhetit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Mungesa e transparencës gjatë planifikimit dhe ndarjes së buxhetit për vitet fiskale, është faktor i pranishëm në të gjitha planifikimet buxhetore të qeverive të Kosovës që nga paslufta, vlerësojnë analistë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ata thonë se në Kosovë duhet të kuptohet se kush është pronar i parasë publike.


Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, akuzojnë ekzekutivin kosovar për mostransparencë dhe llogaridhënie të procesit buxhetor.

Ata drejtojnë ankesa të shumta në adresë të Ministrisë së Ekonomisë për mosqasje të pjesëtarëve të shoqërisë civile në raportet e hartimit dhe ndarjes së buxhetit.

Akuzat në drejtim të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave janë hedhur poshtë nga zëvendësministri i këtij institucioni, Bedri Hamza, i cili thotë se ekziston transparenca, porse ka hapësirë për përmirësime.

“Ne, si institucione, jemi duke punuar që të ngritet transparenca dhe llogaridhënia. Jemi duke punuar që në procesin e buxhetit të inkuadrohen dhe të jenë sa më të informuar shoqëria civile, mjetet e informimit dhe taksapaguesit të kenë sa më shumë qasje
”, thotë Hamza.

Hamza thekson se të gjitha raportet e hartimit dhe ndarjes së buxhetit, pas finalizimit, publikohen edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Por, për ekspertin e ekonomisë nga instituti “Riinvest”, Lumir Abidixhiku, kjo nuk është transparencë.

Sipas tij, transparencë është organizmi i debateve të gjera me shoqërinë civile, pasi që, siç thekson ai, hartimi i buxhetit është një proces tejet i komplikuar.

“Problemi kryesor i transparencës së parasë publike në Kosovë, lidhet me kuptimin se kush është pronar i parasë publike. Besoj që ekziston një përshtypje e gabuar në sektorin publik se paraja publike është pronë e këtij sektori publik dhe jo e taksapaguesve”
, vlerëson Abdixhiku.

Analisti për çështje ekonomike, Abidixhiku, thekson se taksapaguesit duhet të marrin llogari për çdo euro të shpenzuar. Ai shton se taksapaguesi ka drejtë ligjore që sektori publik t’i japë llogari për çdo euro që e shpenzon.

“Niveli i transparencës është shumë larg prej nivelit të dëshiruar. Është më tepër çështje e filozofisë së besimit të transparencës. Duhet të besosh në transparencë, për të bërë transparencë. Më tepër se një fjalë e bukur që tingëllon para mediumeve, transparenca është proces”
, thekson Abdixhiku.

Ndërkaq, Merita Mustafa, menaxhere e projektit të Institutit Demokratik të Kosovës për monitorim të buxhetit, kritikon institucionet për moskrijim të kushteve të mjaftueshme për monitorimin e hartimit të buxhetit dhe shpenzimit të parasë publike.

Sipas menaxheres Mustafa, po të kishte buxhet më transparent, do të tërhiqeshin më shumë investime nga jashtë.

“Transparenca nuk është në nivelin e duhur, apo është shumë e kufizuar. Procesi i hartimit të dëgjimeve buxhetor ka qenë i mbyllur për shoqërinë civile. Kemi arritur që ta monitorojmë vetëm një dëgjim buxhetor”,
shprehet Mustafa.
XS
SM
MD
LG