Ndërlidhjet

Spanja inkurajon Shkupin


Shkupi
Shkupi

Ambasadorja e Spanjës në Shkup, deklaron se vendi i saj, që aktualisht kryeson me BE-në, inkurajon zgjidhjen e shpejtë të kontestit rreth emrit me Greqinë, por rikujton se problemi është dypalësh dhe se BE-ja nuk mund të jetë pjesë e procesit. Nga partia e kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, thonë se zgjidhja mund të arrihet vetëm nëse pala greke heq dorë nga kushtëzimet me gjuhën dhe identitetin.


Spanja inkurajon Shkupin dhe Athinën për vazhdimin e bisedimeve të drejtpërdrejta për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar për çështjen e emrit, por në të njëjtën kohë rikujton edhe mbështetjen e plotë që i jep Bashkimin Evropian këtij procesi.

Kështu deklaron për Radion Evropën e Lirë, ambasadorja e Spanjës në Maqedoni, Marija Anheles Garsia de Lara, vendi i së cilës, aktualisht, kryeson me Bashkimin Evropian.

“Bashkimi Evropian i jep mbështetje të plotë procesit që po zhvillohet, por duhet të kemi parasysh edhe faktin se Bashkimi Evropian nuk është pjesë e procesit. Kjo është një çështje dypalëshe, kontest dypalësh. Bashkimi Evropian dëshiron arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe të pranueshme ”
, deklaron ambasadorja Garsia de Lara.

Ambasadorja Garsia de Lara shton se mbyllja e këtij kontesti do të reflektohej pozitivisht edhe në raportet ndëretnike, pasi mbyllja e tij, do t'i hapte rrugën integrimit të Maqedonisë në Bashkimit Evropian.

“Mendoj se në këtë moment duhet të jemi të kujdesshëm me spekulimet dramatike dhe duhet të mbajmë shpresat dhe optimizmin. Kuptohet se çështja e marrëdhënieve ndëretnike është shumë delikate dhe e rëndësishme për vendin, por ekziston Marrëveshja e Ohrit, e cila po zbatohet dhe këtë po e mbikëqyrë BE-ja”.

“Pra, konsideroj se më e mira për momentin, do të ishte inkurajimi i potencialeve që tregoi ky shtet kandidat, në raport me integrimin në Bashkimin Evropian”,
thotë ambasadorja e Spanjës.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, ditë më parë kishte deklaruar se zvarritja e mëtejmë e zgjidhjes së kontestit, do të mund të destabilizonte raportet ndëretnike në Maqedoni, andaj edhe bën thirrje për qasje më serioze ndaj këtij problemi.

Por, zyrtarë të lartë të VMRO-DPMNE-së në pushtet, thonë se zgjidhja e problemit rreth emrit mund të arrihet vetëm nëse edhe pala greke do të shfaqë gatishmërinë për kompromis, që nënkupton heqje dorë nga kushtëzimet lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Nëse grekët mbeten në qëndrimin e tyre të fortë, nuk mund të kemi zgjidhje për çështjen e emrit. Megjithatë, është mirë se filluam bisedimet dhe unë besoj se, në periudhën që ndodhet para nesh, këto negociata do të intensifikohen, që të arrihet ndonjë zgjidhje, për të cilën do të vendosej në referendum”.

“Mbi të gjitha, me rëndësi është që të ruhet dinjiteti i këtij populli”,
sqaron Silvana Boneva, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

Por, duke komentuar pozicionet e të dyja palëve, e në veçanti ato të kreut shtetëror maqedonas se me asnjë kusht nuk do të pranonin kushtëzimet greke për heqje dorë nga identiteti, ish-diplomati, Mahi Nesimi, shpreh mosbesim se pala greke do të hiqte dorë nga pretendimet.

Kjo, sipas Nesimit, edhe më shumë do ta vështirësojë arritjen e zgjidhjes. Në mungesë të kësaj, dy shtetet, sipas tij, do të përqendrohen sërish në marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995, sipas së cilës, Greqia obligohej të mos e pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare me emrin Ish-republika Jugosllave e Maqedonisë.

“Natyrisht, nuk shpresoj se Greqia do të heqë dorë nga argumentet e veta, pa marrë parasysh se sa janë të qëndrueshme ato. Në fakt, tani do të fillojnë akuzat e ndërsjella se kush, në fakt, e ka shkelur marrëveshjen e arritur në vitin 1995”,
thekson Nesimi.
XS
SM
MD
LG