Ndërlidhjet

Dy vitet e pavarësisë


by www.ipko.org
by www.ipko.org

Pavarësia ishte ëndërr e popullit të Kosovës, e cila u realizua. Kurse tash, dy vjet pas, Kosovën e presin shumë sfida deri tek integrimi i saj në strukturat euroatlantike, thanë liderët kosovarë, gjatë seancës solemne në Parlamentin e Kosovës, të thirrur për nder të dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë.


Dy vjet të Kosovës së pavarur dëshmuan se i sollën rajonit më shumë stabilitet dhe paqe, vlerësuan udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës në dyvjetorin e pavarësisë, gjatë një seance solemne të mbajtur në Parlament.

Pas pavarësimit, Kosovën e presin shumë sfida, nisur nga demokratizimi i brendshëm dhe zhvillimi ekonomik, e deri tek integrimi i saj në strukturat euroatlantike, thanë liderët kosovarë.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe në botë, por kjo nuk është një përparësi, përkundrazi është një pengesë në udhën e vështirë dhe plot përgjegjësi për të ardhmen.

Sejdiu theksoi se pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova pret njohje të reja.

Si shtet i ri, Kosova ka raporte të mira me të gjitha vendet fqinje, përjashtuar Serbinë, tha presidenti kosovar, duke kërkuar nga ky vend t'i ndalë ndërhyrjet në veri të Kosovës.

“Problemi ynë i vetëm në raportet me jashtë, mbetet Serbia, e cila po e vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës. Beogradi zyrtar po i financon strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të vendit, ku ende kemi shkallë të lartë të kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik”.

“Ne besojmë se kjo gjendje atje duhet të marrë fund, ndërsa njerëzit duhet të kenë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpitë e tyre; serbët në jug, ndërsa shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët në veri, aty ku kanë jetuar me shekuj”
, tha Sejdiu.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se në dyvjetorin e shtetit, Republika e Kosovës është vend i konsoliduar, me të cilin secili qytetar duhet të ndihet krenar.

“Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri, pavarësi dhe rend demokratik në atdheun tonë, e realizuam bashkërisht, me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetar”.

“Pavarësia e Kosovës është meritë e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe secili duhet të ndihet krenar kudo që jeton”,
tha kryeministri Thaçi.

Vëmendjen për një përqendrim në zhvillimin ekonomik e tërhoqi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai tha se varfëria po shndërrohet në armikun më të madh të Kosovës së pavarur.

“Ne, qytetarët e Kosovës, tash kemi një armik të përbashkët të quajtur varfëri dhe interesin e lartë për jetë më të mirë, të sigurt e të dinjitetshme”.

“Vlera e pavarësisë së Kosovës matet, në radhë të parë, me përmirësimin praktik të jetës së qytetarëve, por ne duhet ta ndërtojmë bashkë, e me duart tona të ardhmen tonë “,
tha kryeparlamentari Krasniqi.

Krerët e institucioneve përmendën edhe sakrificën dhe kontributin e gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Dyvjetorin e pavarësisë, qytetarëve ua kanë uruar edhe përfaqësuesit e opozitës në Kuvend.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, tha se do të dëshironte të ketë më shumë angazhim të Qeverisë për zbutjen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët.

“Qeveria jonë ta udhëheqë vendin më mirë, më me sinqeritet, më me përgjegjësi dhe një e dëshiroj - që populli i Kosovës të jetojë më mirë, që mirëqenia të përmirësohet dhe të kemi sa më pak njerëz të varfër”
, tha Pacolli.

Po ashtu, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, tha se çdo kosovar i gëzohet kësaj dite, por edhe lutet për një zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës.

“Nuk po e gjejmë vetveten të mobilizuar që të kemi një koncept, një ide dhe një punë që qytetari sot, me kënaqësi, të festojë për gjendjen e vet ekonomike, për shërbimet shëndetësore, për njohje të reja
”, tha Daci.

Edhe disa nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës vlerësuan se në dy vjetët e fundit, në Kosovë kishte në relaksim të gjendjes së përgjithshme të sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.

Rada Trajkoviq nga Këshilli Nacional Serb tha se liria e lëvizjes tash duhet të marrë edhe karakterin e lirisë për punë për komunitetin serb.

“Është evidente se ka relaksim të gjendjes, e madje edhe liri të lëvizjes nëpër qytete. Është normale që ka incidente të izoluara”
, tha Trajkoviq, sipas së cilës tani përparimi duhet nënkuptuar edhe punësim dhe mirëqenie ekonomike e sociale.

Në ditëlindjen e dytë si shtet i pavarur, Kosova arriti të njihet nga 11 shtete të reja, duke çuar numrin e njohjeve në 65.

Po ashtu, Kosova arriti të anëtarësohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, ndërkaq vazhdon procesin e ballafaqimit me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në planin e brendshëm, Kosova e cilësoi sukses edhe mbajtjen e zgjedhjeve të para lokale.
XS
SM
MD
LG