Ndërlidhjet

Shqetësime për kërcënime ndaj sigurisë


Admirali Mark Ficxherald
Admirali Mark Ficxherald

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, ka përsëritur se aleanca është e shqetësuar për strukturat paralele, të cilat, sipas tij, paraqesin kërcënim për sigurinë. Gjatë një vizite në Prishtinë, Ficxherald ka thënë se KFOR-i do të reagojë, nëse këto struktura kthehen në të dhunshme.


Aleanca Veri-atlantike nuk ka shprehur hapur mbështetjen për strategjinë e ICO-së dhe Qeverisë për veriun, e cila ka për qëllim zhbërjen e strukturave paralele serbe.

Megjithatë, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, sërish ka përçuar mesazhin se këto struktura paraqesin kërcënim për sigurinë, duke paralajmëruar reagimin e KFOR-it, nëse për këtë paraqitet nevoja.

“Çdo strukturë paralele është kërcënim për sigurinë dhe ambientin e qetë”.

“Pikësëpari, institucionet që nuk janë në përputhje me rezolutën 1244 janë ilegale dhe paraqesin kërcënim për sigurinë. Siç e ka thënë edhe sekretari, ne në NATO jemi të interesuar për çdo gjë që i kontribuon një Kosove demokratike dhe më të bashkuar”
, ka thënë Ficxherlad, i pyetur nëse NATO-ja do ta mbështesë strategjinë për veriun.

“Si përfundim, ne jemi këtu për të zbatuar 1244-shin dhe këto gjëra që kërcënojnë sigurinë, janë gjëra, për të cilat ne shqetësohemi. Shumë nga këto gjëra, i përkasin nivelit politik dhe kërkojnë zgjidhje politike”.

“Nuk mund të them se KFOR-i do të jetë atje në përpjekje për ta vënë në zbatim, por do të jemi këtu, duke vëzhguar, do të jemi këtu të gatshëm për të reaguar nëse këto gjëra kthehen në të dhunshme”,
ka thënë Ficxherald, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Një ditë pas dyvjetorit të pavarësisë, komandanti i lartë i NATO-s ka thënë se situata e sigurisë në këtë periudhë ka shënuar përmirësim.

“Institucionet e Kosovës arritën një moment historik të mërkurën dhe më duhet të them se në dy vitet e kaluara, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është përmirësuar në mënyrë të dukshme”,
ka theksuar Ficxherald, duke sqaruar se reduktimi i mëtejmë i forcave paqeruajtëse do të bëhet varësisht nga situata në terren.

Që nga një shkurti në Kosovë kanë mbetur vetëm 10 mijë trupa të KFOR-it.

Komandanti Ficxherald ka thënë se, ndërkohë, disa përgjegjësi të fushës së sigurisë do t’u barten institucioneve vendëse.

Por, ai nuk ka sqaruar nëse të tilla përgjegjësi do të marrë edhe FSK-ja, e cila po vazhdon të trajnohet nga oficerët e NATO-s.

Përderisa në Kosovë, Forca e Sigurisë së Kosovës shihet si ushtria e ardhshme e vendit, Ficxherald ka bërë me dije, se në të vërtetë janë institucionet e Kosovës ato që do të vendosin për të ardhmen e kësaj force.

“Ne kemi thënë se do të kemi përgjegjësi ekzekutive deri në arritjen e kapaciteteve të plota. Kemi vlerësuar se kjo mund të zgjasë 2-4 vjet”.

“Pastaj u përket institucioneve se si do ta zhvillojnë më tej këtë forcë. Përgjegjësia jonë është që ta bëjmë plotësisht funksionale, gjë që duket se do të ndodhë në 2011-2012”
, ka thënë Ficxherald.

Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, nuk ka preferuar të flasë për ndryshimin e misionit të FSK-së në të ardhmen.

“Tani ne nuk spekulojmë për të ardhmen, por po kryejmë punën tonë”
, ka deklaruar Bentler.

Trupat e KFOR-it, si përgjegjësit kryesorë të sigurisë, vazhdojnë të ruajnë disa nga objektet fetare ortodokse, gjë kjo e paraparë me rezolutën 1244.

Por, admirali Ficxherald ka paralajmëruar se ndërkohë që trupat e KFOR-it po shkurtohen, një pjesë e përgjegjësisë për ruajtjen e këtyre e monumenteve mund t’i kalojë Policisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG