Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar sërish mbështetje Kosovës në proceset nëpër të cilat po kalon, përfshirë këtu edhe përpjekjet për të integruar pjesën veriore të Kosovës.
Gjatë një vizite në Prishtinë, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, tha se SHBA-të, bashkë me autoritetet e Kosovës, po punojnë për të gjetur zgjidhje mbi problemet, me të cilat po përballet Kosova. Në këtë vazhdë, nuk ka kaluar pa u përmendur edhe tema më e diskutueshme e këtyre ditëve- strategjia për integrimin e veriut.
“Ne biseduam për të gjitha çështjet, me të cilat përballet Kosova. Ne, është e qartë se e mbështesim integritetin territorial të Kosovës dhe po punojmë për të gjetur zgjidhjen”, tha Stjuart Xhons, pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni.
Xhons, në një prononcim shumë të shkurtër për media, e cilësoi vizitën e tij në Kosovë si një vizitë që synim ka konsultimet e zakonshme me udhëheqësit e Kosovës.
“Kam ardhur për konsultimet tona rutinë me udhëheqjen e Kosovës. Jam shumë i kënaqur të jem këtu. Kishim diskutime të shkëlqyeshme me presidentin dhe me ministrin e Jashtëm, Hyseni”, tha Xhons.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u tha gazetarëve se sërish ka marrë mbështetjen e shtetit amerikan për të gjitha proceset, që po zhvillohen në Kosovë.
“Ishte bisedë jashtëzakonisht me përmbajtje dhe SHBA-të mbesin mbështetëse të përkushtuara të zhvillimeve në Kosovë”, tha presidenti Sejdiu.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i presidentit Sejdiu, thuhet se zoti Xhons e ka siguruar presidentin kosovar se SHBA-të do të vazhdojnë me mbështetjen e fuqishme për Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve të reja, në procesin e integrimeve, në planin e zhvillimit ekonomik dhe në fusha të tjera.
Kosova, deri më tash, gëzon njohjen e 65 vendeve të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.