Ndërlidhjet

Kuvendi miraton deklaratë politike


Ligjvënësit kosovarë
Ligjvënësit kosovarë

Pas një debati 6-orësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një deklaratë politike, me të cilën e fton Qeverinë dhe të gjitha institucionet të shtojnë përkushtimin për zbatimin e Kushtetutës dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate pasoi debatin në lidhje me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.



Kuvendi i Kosovës ka miratuar një deklaratë, përmes së cilës rithekson domosdoshmërinë e zbatimit të Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës, duke garantuar ruajtjen e tërësisë territoriale dhe pacenueshmërinë e kufijve, të pranuar ndërkombëtarisht.

Kuvendi e mirëpret mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën për forcimin e përpjekjeve të institucioneve për veriun e Kosovës.

Miratimi i kësaj deklarate pasoi debatin në lidhje me zbatimin e Kushtetutës dhe praninë e strukturave të pushtetit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, i thirrur sipas një kërkese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Propozuesi i kësaj pike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, në fillim të seancës kërkoi miratimin e një rezolute, e cila do ta obligonte Qeverinë për shtrirjen e pushtetit në gjithë territorin e Kosovës.

“Mendoj se duhet të jetë një rezolutë, e cila e obligon qeverisjen e vendit t’i ushtrojë obligimet e veta kushtetuese në shtetin e Kosovës, me integritet dhe sovranitet të pranuar nga 65 shtete të botës”, tha në emër të LDD-së, Nexhat Daci.

Kërkesa e Dacit për një rezolutë obligative për Qeverinë nuk u mbështet nga shumica në Kuvend. Kështu që si konsensus u arrit pajtimi për miratimin e një deklarate të përbashkët politike, e cila nuk ka karakter obligativ.

Në emër të Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi prezantoi planet e parapara për shtrirjen e pushtetit në veri, përmes zbatimit të strategjisë për integrimin e kësaj pjese.

Ai siguroi Kuvendin se Qeveria është e gatshme t’i japë fund, siç tha kryeministri, kaosit 10-vjeçar në veri. Thaçi përjashtoi edhe njëherë përdorimin e dhunës si mjet për zgjidhjen e problemeve ekzistuese në veri.

“Qeveria është përfundimisht e vendosur për shtrirje institucionale dhe kujdes institucional në veri”.

“Strategjia për veriun është e bazuar në katër fusha kryesore: fuqizimi i sundimit të ligjit, decentralizimi apo reformimi i pushtetit lokal dhe themelimi i komunës së Mitrovicës së veriut, adresimi i qeverisjes në tri komunat e veriut, në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, dhe përmirësimi i situatës socio-ekonomike në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”
, tha Thaçi.

Një qasje kritike ndaj hapave të Qeverisë në veri shprehu Ibrahim Makolli, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re. Ai tha se strukturat e Serbisë në veri nuk mund të quhen madje as paralele, pasi që janë strukturat e vetme, ngase në atë pjesë nuk ka pushtet të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, në kohën kur çështjet e veriut të Kosovës diskutoheshin në kancelaritë e ndryshme botërore, përpiqej që t’i minimizonte, madje edhe duke i kritikuar zërat kritikë që kërkonin vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë, duke i cilësuar si thirrje për dhunë”, deklaroi Makolli.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, përmes kësaj deklarate, shpreh përkushtimin për të siguruar që të gjithë shtetasit e Kosovës të gëzojnë mbrojtjen e shtetit ligjor. Kuvendi mirëpret përkrahjen e Bashkimit Evropian e të bashkësisë ndërkombëtare për të bërë të mundur që të gjithë qytetarët të kenë përfaqësim demokratik në pushtetin qendror dhe lokal, të përfitojnë nga shërbimet e investimet dhe të kenë qasje në drejtësi.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës rithekson përkushtimin e tij ndaj vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit, sipas Propozimit Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, Kushtetutës dhe legjislacionit të miratuar prej tij.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG