"Kemi një qëndrim shumë të fortë rreth pavarësisë dhe integritetit të Kosovës dhe besojmë se çështja e statusit është zgjidhur. Do të donim që Serbia ta gjejë rrugën që të ecë më tutje në marrëdhëniet me Kosovën dhe të fokusohet në çështjet e përditshme, si dogana, gjyqësia, dritat, që të përmirësohet cilësia e jetës së të gjithë qytetarëve të Kosovës", ka thënë ambasadorja amerikane në Beograd, Mari Uorlik.
Në intervistën për gazetën "Blic", Uorlik ka thënë se SHBA-të konsiderojnë se "është në interesin madhor të Serbisë, që në dritën e qëllimit të rëndësishëm të përfshirjes në BE, të gjejë rrugën që të ecë përpara në marrëdhëniet me Kosovën".
Sipas saj, është me rëndësi të ekzistojnë "kanale për bisedime" për të gjitha çështjet që ndikojnë në cilësinë e jetës në Kosovë, si dhe të ekzistojë vullneti që këto çështje të zgjidhen.
"Do të donim të shihnim që kanalet për bisedime të hapen midis EULEX-it, zyrtarëve qeveritarë dhe të tjerëve, për t'i zgjidhur çështjet më të rëndësishme", ka thënë Uorlik.
Lidhur me rolin e Serbisë në rajon, ambasadorja Uorlik ka deklaruar se vendet e rajonit duhet të mbështesin njëri-tjetrin për t'i realizuar aspiratat e përbashkëta.
"Serbia ka rol shumë të rëndësishëm dhe ne i ndihmojmë asaj në zgjidhjen e disa problemeve me fqinjët. Konsiderojmë se është në interesin e Serbisë dhe të vendeve të tjera në rajon, që të përkrahin njëri-tjetrin, në mënyrë që ta arrijnë qëllimin e përbashkët të hyrjes në BE dhe në organizatat euroatlantike. Konsiderojmë se Serbia mund të ndihmojë dhe të luajë rol konstruktiv në rastin e Bosnjës", ka thënë Uorlik.
Në pyetjen se si e komenton faktin se ende askush nuk është dënuar për sulmin dhe djegien e ambasadës amerikane në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ambasadorja Uorlik ka thënë se kjo çështje do të jetë prioritet i saj.
"Për ne, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Ne në Beograd dhe kolegët e mi në Uashington e inkurajojmë Qeverinë e Serbisë që t'i përfundojë hetimet për sulmin dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë. Kjo çështje do të jetë prioritet për mua", ka deklaruar ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Beograd, Meri Uorlik. (V.P.)