Ndërlidhjet

Konsumatori kosovar, i (pa)mbrojtur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, organizatat joqeveritare në Kosovë kritikuan autoritetet e vendit për mosangazhim të duhur në mbrojtjen e konsumatorëve. Sipas tyre, të drejtat e konsumatorit në Kosovë nuk respektohen dhe qytetarët janë të rrezikuar nga përdorimi i produkteve të dyshimta.



Moszbatimi i ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thekson se edhe pas gjashtë vjetësh të miratimit të Ligjit për mbrojtje të konsumatorit, qytetarët e Kosovës ende mesin të pambrojtur.

“Kur flasim për Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, fatkeqësisht ky ligj e ka fatin e ligjeve të tjera. Edhe monitorues të jashtëm edhe të brendshëm kanë ardhur deri te shifra që ligjet në Kosovë nuk zbatohen 70 për qind, e këtë fat e ka edhe ligji për mbrojtjen e konsumatorëve”.

"Nuk ka infrastrukturë që vepron në favor të kauzës së konsumatorit, në favor të mbrojtjes së të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit”,
shprehet Kaçaniku.

Kaçaniku thotë se vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet Kosovës që të marrin masa urgjente lidhur me këtë çështje, pasi që, siç shprehet ai, pas shumë hulumtimeve që kanë bërë, kanë hasur në parregullsi të mëdha.

“Konsumatori i Kosovës kurrë nuk e di se çfarë ha, cila është përbërja e ushqimeve dhe lëngjeve, dhe cili është afati i skadimit të tyre, pasi që shitoret tonë janë furnizuar me aparate laserike për t’i ndryshuar datat, kurse inspektoratet që i kemi, nuk janë të motivuara as kuadrovikisht, as teknikisht, as materialisht dhe ato janë të paafta ta monitorojnë tregun”,
thotë Kaçaniku.

Në Kosovë, të hënën, është lansuar programi për mbrojtjen e konsumatorit 2010 – 2014.

Ky program mbulon një spektër të gjerë të të drejtave të konsumatorëve, përfshirë çështjet e sigurisë së mallrave dhe shërbimeve, mbikëqyrjes së tregut, aspektet ekonomike dhe ligjore lidhur me konsumatorët në treg, informimin, edukimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Këshilltari në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Nehat Ramadani, pohon se është arritur një progres i madh në hartimin dhe plotësimin e rregullativës ligjore, në harmoni me legjislacionin e BE-së, e që është duke u zbatuar në funksion të mbrojtjes së konsumatorit.

“Mbrojta e konsumatorit është një ndër prioritet kryesore të institucioneve të Kosovës dhe në veçanti, atyre që atakohen me këtë fushë, siç është zyra e konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe mekanizmat tjerë qeveritarë dhe joqeveritarë, që në një mënyrë apo tjetër gërshetohen me këtë fushë”
, sqaron Ramadani.

Në një tryezë të organizuar në rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, gjithashtu u theksua se konsumatori kosovar ende nuk është vetëdijesuar për të blerë prodhime cilësore dhe shumë herë janë të manipuluar nga prodhuesit, të cilët nuk e deklarojnë saktë përmbajtjen e prodhimeve.

Kryeinspektori i inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ruzhdi Shehu, shprehet:

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjesisht Qeveria e Kosovës synon avancimin e mbrojtjes së konsumatorit, duke e shndërruar atë në një mbrojtje cilësore të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse në relacion me shëndetin publik, ambientin, tregun stabil dhe krijimin e kushteve të favorshme për biznes”.


Ndryshe, angazhimi në mbrojtjen e konsumatorit është kritikuar edhe nga Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën, në të cilin theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG