Ndërlidhjet

WP: “Aleatët, të pakënaqur me presidentin Obama”


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama

“Washington Post”



Mosmarrëveshjet mes presidentit Obama dhe Izraelit duhet të shihen në një kontekst më të gjerë global, që ka të bëjë me ndryshimin në politikën e jashtme amerikane.

Presidenti që ishte kundër unilateralizmit në fushatën e 2008-ës, ka marrëdhënie të këqija në përgjithësi me aleatët amerikanë, sesa Bush në mandatin e tij të dytë.

Izraelitët nuk duhet të ndihen se janë lënë të veçuar. Në Britani, njerëzit po flasin rreth fundit të “marrëdhënieve speciale” me Amerikën dhe janë të shqetësuar që Obama nuk e ka syrin nga britanikët, pavarësisht sakrificave të tyre në Afganistan.

Në Francë, po ashtu, për muaj me radhë, presidenti Nikolas Sarkozi ka kritikuar hapur Obamën. Ndërsa, Evropa lindore dhe qendrore nuk i shohin SHBA-të si garantues të sigurisë që kur administrata e tij anuloi planet afatgjata të instalimit të sistemit të mbrojtjes raketore në Poloni dhe në Republikën Çeke.

Evropianët, në përgjithësi, ndërsa janë të dhënë pas Obamës, kanë nxjerrë përfundimin se ai nuk është aq i dhënë pas tyre, pavarësisht 6 udhëtimeve në Evropë, dhe se ai është më shumë një president aziatik.

Por, aziatikët nuk janë kaq të sigurt. Marrëdhëniet me Japoninë janë të vështira, për shkak të veprimeve të Qeverisë së re në Tokio, por pjesërisht edhe të perceptimit që SHBA-të nuk futen në llogari për një kohë të gjatë.

Edhe pse administrata e Obamës premtoi të tregojë që SHBA-të po i kthehen Azisë, pas neglizhimeve të administratës së Bushit për vite, kjo ende nuk ka bindur aleatët që ata janë në fokusin e vëmendjes amerikane.

Kush ka tërhequr vëmendjen e administratës së Obamës? Duket se nuk janë aleatët e Amerikës, por konkurrentët e saj dhe në disa raste kundërshtarët.

Politika e jashtme e Obamës ka përqendrimin më të madh në energji, përtej luftës në Afganistan, që u dedikohet katër përpjekjeve: përpjekjes që nuk arriti në vitin e parë të përmirësojë marrëdhëniet me Iranin, përpjekjes së vazhdueshme për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, përpjekjes së bllokuar për të përmirësuar bashkëpunimin me Kinën dhe përpjekjes së pafrytshme deri më tani, që t’u provojë shteteve arabe se SHBA-të janë të gatshme t’i bëjë presion Izraelit drejt procesit të paqes.

Presidenti ka treguar durim të pafund me Rusinë, ndërsa ata ndaluan një marrëveshje për kontrollin e armëve që mund të ishte bërë në dhjetor. Ai pranoi një vit fyerjeje nga Irani dhe refuzoi të negocionte para se të shkohet pa mëdyshje drejt sanksioneve.

Tashmë, Obama i irrituar urdhëron një këputje të afërt të marrëdhënieve me Izraelin, për një shkelje të vogël në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të fundit, për të cilën kryeministri izraelit kërkoi falje publikisht.

Kjo mund të jetë një risi e madhe në politikën e jashtme të Obamës.

Në kohën e Bill Klintonit dhe Bushit, marrëdhëniet me Evropën, Japoninë dhe më vonë Indinë ishin të thella dhe të forta. Ndërsa, Obama duket se po del nga strategjia e madhe 60-vjeçare e Amerikës, kur bëhet fjalë për aleatët. (A.Ç.)
XS
SM
MD
LG