Ndërlidhjet

Skena politike përballë sfidave


Prishtinë
Prishtinë

Do të sjellin apo jo ndryshimet e mundshme në Qeveri dridhje politike? Analistët thonë se për shkak të presionit ndërkombëtar, por edhe opinionit të brendshëm, ndryshimet nuk do të jenë vetëm kozmetike.






Riformatizimi i Qeverisë, për të cilin u nis të flitej që në muajin nëntor të vitit të kaluar, duket se ka gjasa të ndodhë këtyre ditëve. Kjo është pohuar nga zyrtarët e Qeverisë, të cilët mendojnë se ndryshimet në fjalë nuk do të shkaktojnë dridhje politike te asnjëri subjekt politik që është në koalicion.

Por, analistët politikë mendojnë se kryeministri i Kosovës po përballet me presione jo vetëm të brendshme, por edhe ndërkombëtare, në mënyrë që ndryshimet të mos jenë vetëm kozmetike.

Shkëlzen Maliqi konsideron se kryeministri Thaçi do të gjejë një rrugë kompromisi.

“Ndoshta do të jetë një lloj kompromisi. Nuk do të jenë kozmetike, por as rrënjësore. Tash jemi në fazën e spekulimeve dhe nuk dihet se cilët ministra do të ndërrohen, sa thellë do të shkojë ky proces. Mbetet më shumë si spekulim”.

“Pres që një lloj ndryshimi do të jetë, edhe pse rikonstruimi i Qeverisë nuk është katastrofë apo diçka e jashtëzakonshme”
, thotë Maliqi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se ndryshimet do të jenë të tilla, që nuk do të krijojnë vakuum institucional. Për ndryshimet eventuale do të merret edhe pëlqimi i partnerit të koalicionit – Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dardan Gashi thotë se me ndryshime kozmetike, askush nuk do të jetë i kënaqur.

“Po mbahet si një sekret në Qeveri se cilët ministra do të shkojnë... Për opinionin, ndryshimet kozmetike nuk do të kryejnë punë. Pra, nëse bëhen ndryshime vetëm në një ose dy resore, ku ndryshohen vetëm emrat e individëve dhe asgjë tjetër, nuk do të jenë as për LDK-në, meqë ka kërkuar gjatë fushatës ndryshime rrënjësore”
, thotë Gashi.

Edhe pse kanë deklaruar se nuk do të ndikojnë në riformatizimin e Qeverisë, analistët, megjithatë, vlerësojnë se diplomatët e huaj janë duke parë me vëmendje veprimet e Qeverisë.

Dardan Gashi thotë se ndërkombëtarët po e shohin riformatiizmin edhe si pjesë të luftës së Qeverisë kundër korrupsionit. Në të njëjtën frymë shprehet edhe Shkëlzen Maliqi.

“Ata ia kanë tërhequr vërejtjen kryeministrit, sidomos strukturave udhëheqëse, se presin që disa ministra ose politikanë, që konsiderohen se kanë pas vetes afera korruptive, nuk do të jenë më në Qeveri”.

“Mbetet në ndërgjegjen e kryeministrit që, kohëve të fundit, disi në opinion ka mjaft kritika dhe po e humb betejën me mediat, me opinionin. Pritet nga ai të marrë disa masa, që do të fillojë luftimin e korrupsionit para së gjithash, duke identifikuar ministrat apo përgjegjësit në këtë Qeveri, të cilët dyshohen se ka fakte se e kanë bërë këtë”
, deklaron Maliqi.

Ndërkohë, edhe pse në Qeveri thuhet se asnjëri subjekt politik nuk do të dridhet nga ndryshimet, analistët kujtojnë se ato do të kenë ndikim të dukshëm të paktën në LDK - parti kjo që pësoi disfatën e fundit në zgjedhjet lokale në Gjilan.

“Loja e dyfishtë e LDK-së”, siç u cilësua qëndrimi i saj karshi koalicionit, thuhet se u ndëshkua nga elektorati. Por, sa, sipas Dardan Gashit, do të preket LDK-ja nga ndryshimet?

“Ndryshimet në Qeveri do të sjellin kokëçarje edhe për Kryesinë e LDK-së, për udhëheqësinë e LDK-së, sepse, kushtimisht, nuk është e lehtë që të përjashtohen ministra nga Qeveria dhe pastaj të bëhet përzgjedhje për emra të rinj. Si çdo parti politike, edhe LDK-ja ka grupe të interesit, grupe që do të ndahen të pakënaqura me këto lëvizje”, thotë Gashi.

Sidoqoftë, në lidhje me riformatizimin e Qeverisë, është përmendur si opsion largimi dhe zëvendësimi i dy ministrave të Partisë Demokratike të Kosovës dhe po aq të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe shtimi i një ministrie të re - asaj për çështje evropiane.

Në kuadër të reformave, kryeministri Hashim Thaçi besohet se do t’u kërkojë ministrave të dorëzojnë postin e deputetit, në mënyrë që të mund t’i përkushtohen më tepër ekzekutivit.
XS
SM
MD
LG