Ndërlidhjet

Moratinos: Në samitin e ardhshëm - Kosova dhe Serbia


Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos.

Në samitin e ardhshëm të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit do të marrin pjesë si Kosova, ashtu edhe Serbia, tha Miguel Angel Morations, ministër i Jashtëm i Spanjës, që aktualisht e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

“Mendoj se ne do të kemi sukses që çdokush të marrë pjesë, duke e respektuar çdo ndjeshmëri dhe legalitet ndërkombëtar”, tha mbrëmë ministri Morations, në Bruksel.

Këto komente u bënë pak ditë pasi Serbia e bojkotoi samitin rajonal në Slloveni, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Zoti Moratinos nuk dha detaje se si ai planifikon t’i kapërcejë vështirësitë organizative, që dalin nga mospajtimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Me gjasë, ai nuk do ta ketë lehtë në bisedimet me përfaqësuesit e Kosovës, pasi Spanja është njëra nga pesë vendet e BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën.

Presidenca spanjolle e BE-së planifikon mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë me liderët ballkanikë në Sarajevë, në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit.
XS
SM
MD
LG