Ndërlidhjet

Autogoli i Serbisë


Patrick Moore
Patrick Moore

Në një konferencë të Radios Evropa e Lirë, të mbajtur gjatë samitit të NATO-s në Pragë, më 2002, presidentët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë prezantuan në opinion argumentet e tyre për anëtarësim në NATO.

Unë kryesoja panelin me këta tre burra, të cilët gjithashtu u përgjigjën në pyetjet e disa qindra studentëve ndërkombëtarë.

Një grup, prej rreth 20 studentësh serbë, ishin veçanërisht të zemëruar dhe agresivë kundrejt secilit në panel. Studentët ishin të veshur mirë dhe flisnin një anglishte të mirë, por kishte diçka në sjelljen e tyre që ma rikujtoi epokën e Sllobodan Millosheviqit, luftërat e të cilit, ata ishin të rinj t’i luftonin.

Dikush më tha më vonë se studentët ishin nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Beogradit, i cili është njohur si qendër e nacionalizmit ekstrem.

Që moti kisha hequr dorë nga përpjekjet për t’i kuptuar nacionalistët ekstremë, por nga sjellja e studentëve, një gjë ishte e qartë dhe e kuptueshme: ata ishin dhembshëm të vetëdijshëm se Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia ishin shumë më larg se Serbia në rrugën për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

Nuk ishte e rëndësishme se as këta studentë dhe as shumica e serbëve në përgjithësi nuk donin që vendi i tyre t’i bashkohej NATO-s. Çështja thelbësore ishte se ishin shqiptarët, kroatët dhe maqedonasit, ata që i gëzoheshin trenit evropian, i cili ishte nisur nga stacioni, derisa serbët ishin lënë të prisnin në platformë, të shoqëruar vetëm nga boshnjakët.

Kjo ishte veçanërisht e dhembshme për një popull, i cili ishte mësuar tashmë ta shihte vetveten si “lider të natyrshëm” të rajonit.


Një lider pro-evropian?

Interesi kryesor i Serbisë natyrisht nuk është NATO-ja, edhe pse gjasat e Serbisë për t’iu bashkuar aleancës atlantike janë diskutuar kohët e fundit në Parlament, në artikujt e revistës “NIN” dhe gjetkë.

Sipas presidentit Boris Tadiq, interes kryesor për Serbinë, në kuptimin e integrimeve euroatlantike, mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe, njëkohësisht, ruajtja e raporteve të ngushta me Uashingtonin, Moskën dhe Pekinin.

Prandaj, dikush do të mendonte se presidenti Tadiq, i cili veten e prezanton si liderin pro-evropian të Serbisë, do ta mirëpriste çdo mundësi për t’ia dëshmuar botës se vendi i tij, vërtet e ka lënë prapa epokën e Millosheviqit dhe është i gatshëm të punojë me fqinjët për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Gabim. Në fakt, Tadiqi ka refuzuar të marrë pjesë në samitin e 20 marsit në Bërdo afër Kranjit, të thirrur nga kryeministri slloven, Borut Pahor, për të promovuar bashkëpunimin rajonal.

Ky takim ishte i veçantë dhe për synim kishte t’i tregojë BE-së se vendet e Ballkanit Perëndimor ishin vërtet në gjendje t’i hedhin në sfond nacionalizmat, që karakterizuan raportet e tyre gjatë viteve ‘90 dhe që vunë në konfuzion dhe tmerruan pjesën më të madhe të Evropës.

Me fjalë të tjera, ndeja e zotit Pahor ishte mundësi për cilindo që dëshiron të lërë përshtypje të mirë tek anëtarët e klubit, të cilit duan t’i bashkohen.

Sllovenia është vendi i vetëm i ish-Jugosllavisë, që është anëtare e Bashkimit Evropian. Asaj i janë dhënë përgjegjësi të posaçme nga Brukseli, me qëllim që t’i ndihmojë vendet e rajonit drejt integrimeve evropiane. Është pikërisht slloveni Jellko Kacin, ai që i raporton Parlamentit Evropian për Serbinë.

Pahor ftoi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në Bërdo. Në mesin e këtyre vendeve u përfshi edhe Kosova, shtetësinë e së cilës Sllovenia e njeh dhe me të cilën Bashkimi Evropian ka një mori aranzhimesh, përfshirë këtu edhe EULEX-in.

Megjithatë, Serbia mëton t’i mohojë realitetet politike dhe do të marrë pjesë në ato vende, ku zyrtarët kosovarë paraqiten nën identifikimin e UNMIK-ut. Por, Kosova është një shtet i pavarur, i vetërespektueshëm dhe dëshiron të identifikohet si shtet, jo si një protektorat kolonial.

Nikoqirët sllovenë sugjeruan që pjesëmarrësit të paraqiten vetëm me emrat e tyre, por edhe këtij propozimi të “statusit neutral”, Beogradi i vuri veto.

Mbase Tadiq nuk ka dëshiruar të shkojë në asnjë rrethanë, nga frika se votuesit e tij nuk do të donin ta shihnin në televizion, të ulur në pozicione të barabarta, në tryezën e rrumbullakët në Bërdo, me kryeministrin Hashim Thaçi.


Arsyetimi?


Në fund, Tadiqit i është dhënë një arsyetim për të mos shkuar nga Spanja, vend ky i cili aktualisht mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe një nga pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur Kosovën.

Shkurtimisht, Madridi i dha Beogradit mesazhin se Serbia nuk do të përballet me probleme nëse nuk shkon në Bërdo, sepse liderët serbë, edhe ashtu mund të vijnë në konferencën mbi Ballkanin, të sponsorizuar nga spanjollët, e cila do të mbahet në Sarajevë, në fund të pranverës. Spanja e ka siguruar Serbinë se Kosova mund të vijë vetëm nëse merr pjesë si UNMIK.

Pahor përfundoi në një pozicion turpërues, për shkak të mungesës së Tadiqit. Qeveria kroate e ka quajtur mungesën e liderit serb “një çështje margjinale”, por të gjithë e dinë se nuk është kështu.

Pahor dhe homologia e tij kroate, Jadranka Kosor, megjithatë, kanë deklaruar pas takimit se duhet të ketë “njohje të ndërsjellë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor” dhe se “secili ka nevojë për secilin dhe secili duhet ta njohë secilin”.

Thaçi ka thënë se “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, herët a vonë”. Si kundërpërgjigje, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, i cili ndryshe udhëheq fushatën ndërkombëtare jorealiste kundër Kosovës, ka thënë: “Në asnjë rrethanë, çfarëdo qofshin ato, nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës… Ky qëndrim i administratës aktuale të shtetit të Serbisë – dhe cilësdo administratë të ardhshme – është i qartë, i saktë dhe i pandryshueshëm”.

Serbia tani është duke pritur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të vepruar mbi kërkesën e Beogradit, që të japë një mendim për pavarësinë e Kosovës. Serbia gjithashtu kërkon dritën e gjelbër për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe kërkon nga Brukseli që të shqyrtojë kërkesën për anëtarësim.

Por, duke bojkotuar takimin në Bërdo dhe inaugurimin e presidentit kroat, Ivo Josipoviq, për shkak të Kosovës, Serbia duket se ka harruar se BE-ja pret që ajo të përmirësojë bashkëpunimin me vendet fqinje.

Duke dështuar në këtë rrafsh, Beogradi vetëm sa i ka sforcuar ato forca në Evropën Perëndimore, të cilat kundërshtojnë çdo formë të zgjerimit pas anëtarësimit të Kroacisë dhe Islandës.


Patrick Moore ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.
XS
SM
MD
LG