Ndërlidhjet

WP: “SHBA-Rusi, marrëveshja që ia vlen”

Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, dhe presidenti SHBA-ve, Barak Obama
Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, dhe presidenti SHBA-ve, Barak Obama

"Washington Post"


Marrëveshja e re për çarmatimin bërthamor mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, nga presidenti Obama u cilësua si hap drejt arritjes së një qëllimi ambicioz: “Partneritet i fuqishëm” me regjimin e Vladimir Putinit, veprime shumëpalëshe për të ndaluar pajisjen e Iranit dhe të Koresë së Veriut me armë bërthamore dhe një hap përpara drejt përmbushjes së qëllimit për një botë pa armë bërthamore.

Në të vërtetë nuk është e nevojshme të ndash të njëjtin qëllim afatgjatë me presidentin Obama, apo të kesh pritshmëri të tepruar për ndikimin e marrëveshjes së re, për ta festuar atë që duket të jetë një arritje e qëndrueshme diplomatike.

Një vit negociatash sjellin si rezultat shkurtimin me afro 30 për qind të arsenalit të armëve bërthamore të të dyja vendeve, që do të thotë, mes tjerash, shkurtimin prej 1550 mbushjesh bërthamore për secilin shtet.

Lëshuesit e raketave nga toka, ata tokë-det si dhe bombarduesit duhet të zvogëlohen në 800 për secilin nga vendet nënshkruese.

Rusia është shumë afër këtij niveli dhe do ta realizojë lehtësisht gjatë 10 vjetëve që pakti do të jetë në fuqi. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, do të duhet të shkurtojnë disa qindra lëshues raketorë për t’i përmbushur kushtet.

Kjo është dhe një nga arsyet përse pakti i arritur është më me rëndësi për Moskën dhe për ambiciet e saj që të mbetet e barabartë me Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja nuk ka të njëjtën rëndësi për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Putini gjithashtu shpreson ta përdorë marrëveshjen e re për t’i penguar planet e Administratës Obama për të vendosur një pjesë të mbrojtjes raketore në Evropë.

Një tjetër çështje do të jetë dhe ajo e verifikimit. Në të kaluarën procedurat për kontrollin e provave raketore janë dobësuar. Kreu i Pentagonit theksoi se Shtetet e Bashkuara do t’i kenë të gjitha të dhënat e nevojshme për të verifikuar zbatimin e marrëveshjes.

Ashtu siç u përshkrua dhe nga presidenti Obama, ujdia ia vlen. Shtetet e Bashkuara ende kanë më shumë armë bërthamore sesa që ka nevojë.

Nga ana tjetër, vizioni i presidentit Obama se çfarë mund të arrihet përmes kontrollit të armatimit është një çështje që shoqërohet me shumë pikëpyetje.

Obama shpreson që marrëveshja do të krijojë klimën e favorshme gjatë dy takimeve të afërta mbi kontrollin e materialeve bërthamore. Kjo ka gjasa të ndodhë.

Zyrtarët pohojnë se presin që Rusia do të bashkëpunojë për të vendosur sanksione shtesë ndaj Iranit, me gjithë faktin se Moska ende nuk është dakord për masa të forta.

Në këto kushte është e vështirë të kuptosh se si pakti në fjalë do të ndikojë në çarmatimin e Koresë së Veriut apo do të ndalojë Iranin nga prodhimi i uraniumit të pasuruar.

Sa i përket nocionit të zotit Obama se kemi filluar marshimin drejt një bote pa armë bërthamore, ne jemi më shumë me qëndrimin e sekretarit Gejts.

“Nuk mendoj se dikush pret që në një të ardhme të afërt, ne të vijmë pranë nivelit zero sa i përket pajisjes me armë bërthamore”,
tha Gejts.

Duke pasur parasysh kërcënimet me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara, kjo është një gjë e mirë. (i.b.)
XS
SM
MD
LG