Ndërlidhjet

Srebrenica, gjenocidi që po dënohet vetëm si masakër



Dënimi i masakrës së Srebrenicës dhe ndjesa për viktimat është debati që u rihap në Parlamentin e Serbisë.

Trupat serbe të Bosnjës dhe paraushtarakët serbë vranë në korrik të vitit 1995, në Srebrenicë, rreth 8000 djem e burra boshnjakë. Srebrenica ka hyrë në histori si masakra më e rëndë në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Propozim-rezoluta që po diskutohet në Parlamentin e Serbisë është në vazhdën e përpjekjeve të Beogradit që t’i përmbushë kushtet për integrim në Bashkimin Evropian.

Pas dy muajsh ndërmjetësimi e bisedimesh rreth përdorimit të fjalëve të caktuara, duket se është arritur marrëveshja, e cila mundëson që propozim-rezoluta rreth Srebrenicës të marrë mbështetjen e shumicës.

Me gjithë debatet në Parlament, shumë serbë ende e mohojnë masakrën e Srebrenicës, me gjithë faktin se Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë cilësuar gjenocid vrasjet atje.

Ndërkaq, propozim-rezoluta në Parlamentin e Serbisë shpreh mbështetjen për viktimat dhe kërkon ndjesë që nuk kanë bërë sa duhet për ta parandaluar masakrën.

Ligjvënësit serbë mbeten me kaq dhe nuk e quajnë gjenocid atë që ndodhi në Srebrenicë. Por, në të njëjtën kohë, në tekst shkruhet se e dënojnë krimin ashtu siç jepet dhe në rezolutën e Parlamentit Evropian.

Ky i fundit ka përdorur termin gjenocid për masakrën e Srebrenicës, term që është përcaktuar dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Meqë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vendimin e vitit 2007, e cilësoi gjenocid krimin e ndodhur në Srebrenicë, në deklaratën tonë nuk kemi pse të shqetësohemi apo të shpikim ndonjë kualifikim tjetër për Srebrenicën”.

“Ne vetëm duhet t’i referohemi vendimit të GJND-së, në të cilin qartësisht thuhet se krimi i kryer në Srebrenicë ishte gjenocid”
, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Radoslav Stojanoviq, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Beograd.

Megjithatë, Partia Liberal-demokrate e Serbisë kërkon që në tekstin e rezolutës të përfshihet fjala gjenocid. Zharko Koraç, nga kjo parti, sqaron qëndrimin e grupit të tij politik:

“Kjo propozim-rezolutë, në parim, do të thotë le të bëjmë gjithçka që pritet nga ne, por le ta bëjmë në mënyrë të tillë që mos të na kushtojë gjë. Kjo vjen pasi jemi të detyruar ta marrim këtë hap dhe jo sepse e ndjejmë që ta bëjmë”.

Gjashtë anëtarë të Parlamentit serb nga Lista Boshnjake kërkojnë që 11 korriku të shënohet si dita e kujtesës për viktimat e gjenocidit.

Por, në Republikën Serbe të Bosnjës ka një kundërshtim të fortë rreth pranimit të krimit në Srebrenicë apo kërkim faljes. Serbët e Bosnjës thonë se edhe ata e pësuan nga krimet e kryera nga boshnjakët dhe kroatët.

“Kam të drejtë të them hapur, në emër të viktimave të popullit tim, se për sa kohë që jam këtu, një rezolutë e tillë nuk mund të miratohet
”, thotë Sllavko Joviçiq, nga Partia Social-demokrate e serbëve të Bosnjës.

Por, ndjesa serbe nuk do të shërbejë për të lehtësuar të mbijetuarit apo familjarët e viktimave. Iljas Pilav, kirurg boshnjak që i mbijetoi masakrës së korrikut të ’95-ës, thotë se as koha e as ndonjë veprim politik nuk mund t’i lehtësojë plagët që i ka lënë lufta.

Pilav shton se rezoluta që nuk e quan krimin gjenocid, vetëm sa fyen viktimat.

Por, ndryshe mendon aktivistja serbe e të drejtave të njeriut, Janja Beç. Sipas saj, Serbia ka bërë hapa përpara për vetë faktin se po flet për Srebrenicën. Megjithatë, ajo shton se dështimi i Parlamentit serb për ta përdorur termin gjenocid, mund t’i rrisë tensionet në Ballkan.

“Është kaq fyese saqë mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet në rajon, jo vetëm tani, por edhe për gjeneratat që vijnë. Një krim i kësaj natyre meriton të pranohet ashtu siç ka ndodhur”,
thotë Beç. (i.b.)
XS
SM
MD
LG