Ndërlidhjet

Plani Ahtisari ngec te integriteti territorial


Disa pika të Pakos së Ahtisarit, që kryesisht lidhen me integritetin territorial të vendit, nuk janë përmbushur as pas më shumë se dy vjet, që kur kosovarët shpallën pavarësinë duke u bazuar në këtë pako. Ish-negociatorët e Vjenës nga pushteti dhe opozita kanë mendime të ndryshme lidhur me ngecjet në zbatimin e Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit në tërë vendin.



Pikat e Planit të Ahtisarit, që kryekëput kanë qenë obligim i institucioneve të Kosovës, sipas udhërrëfyesit të Zyrës Civile Ndërkombëtare tashmë janë përmbushur.

Por, nuk janë përmbushur edhe ato obligime që kërkojnë bashkëpunimin e banorëve lokalë serbë, apo edhe të Beogradit zyrtar.

Njëri nga negociatorët në bisedimet e Vjenës, Lutfi Haziri (nga Lidhja Demokratike e Kosovës), tashmë anëtar i kabinetit qeveritar, pranon se ngecjet po shkaktohen nga ndikimi i Beogradit.

“Sa i përket themelimit të komunës veriore të Mitrovicës dhe ndërtimit të bordit për qytetin e Mitrovicës, këto janë në fazën e parë. Vështirësitë janë evidente për shkak të moskoordinimit me komunitetin atje, që është ndikim i drejtpërdrejtë i presionit politik nga Beogradi”
, thotë Haziri.

Plani i Ahtisarit, mbi bazë të të cilit u hartua Deklarata e Pavarësisë, garanton tërësinë territoriale të Kosovës. Por, më shumë se dy vjet nga pavarësimi i vendit, institucionet nuk kontrollojnë pjesën veriore, ku pushtetin e kanë strukturat paralele serbe.

Ish-koordinatori i Ekipit të Unitetit, pjesëmarrës në negociatat e Vjenës, Blerim Shala (nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), thotë se pikërisht në këtë pikë thelbësore nuk janë shënuar rezultatet e pritura.

“Tekefundit ju e dini, disa muaj më parë kur u aprovua strategjia për veriun e Kosovës, u synua që disi të ringjallet ky proces, përmes një dokumenti që realisht i subordinohet Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjë që flet për të mirë për përbërjen politike të tij, por në anën tjetër kemi konstatuar të gjithë së bashku se nuk ka asnjë mekanizëm implementues për strategjinë për veriun e Kosovës”.

“Pa mekanizma të tillë implementues për strategjinë, nuk mund të ketë sukses as në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, e as në implementimin e Pakos së Ahtisarit”
, shprehet Shala, duke konstatuar se, aktualisht, gjendja në veri është më e keqe se para dy vjetësh.

“Gjendja në veri të Kosovës në prillin e vitit 2010, duhet thënë sinqerisht, është shumë më e keqe sesa që ka qenë në janarin e 2008-ës, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atje nuk ekzistojnë më dy pikat kufitare, është dëmtuar Kosova për një shumë që matet prej 200 - 300 milionë eurosh”.

“Atje nuk ka rend dhe ligj, atje nuk ka polici të mirëfilltë të Kosovës, atje nuk ka gjyqësi të Kosovës, atje është gjendje e paligjshme. Është e papranueshme për një shtet ta tolerojë situatën kur, në rreth 18 deri në 20 për qind nuk ka rend dhe ligj”
, thekson Shala.

Përderisa Shala kritikon pushtetin, që, sipas tij, nuk ka punuar sa duhet, Haziri nënvizon se shtrirja e pushtetit në veri nuk është punë aq e lehtë, si pasojë e politikës agresive të Beogradit.

Ai thotë se Prishtina me masat e saj të buta, do të mund të fitojë bashkëpunimin e serbëve lokalë, veprim ky që do t’i hapte rrugë krijimit të komunës në veri të Mitrovicës, e me këtë, me gjasë edhe integrimit të të gjitha komunave veriore në sistemin kosovar.

“Fryma politike, në të cilën po punojnë institucionet e Kosovës, është e masave të buta, përmes ofertimeve, që kanë të bëjnë edhe në rrafshin e pushtetit lokal, edhe në zhvillimin ekonomik politik”.


“Por, vendosja e autoriteteve për kontrollin e kufijve, doganat dhe mekanizmat tjerë, janë edhe më tutje sfiduese për shkak të agresivitetit politik, si pasojë e ndikimit të Beogradit
”, shprehet Haziri.

Por, në anën tjetër, Blerim Shala shpreh mendimin se është paradoksale që të pritet ndryshimi i qasjes së Beogradit ndaj Kosovës.

“Është absurde të pritet që Serbia të bashkëpunojë për zbatimin e Pakos së Ahtisarit, kur fuqimisht ta ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe Pakon e Ahtisarit. Kjo me të vërtetë është naivitet, e në anën tjetër, paradoks i llojit të vet”.

“Nëse dikush ka llogaritur se Serbia do të bashkëpunojë me ne për zbatimin e Pakos së Ahtisarit, ose është injorant politik, ose ka naivitet të madh politik. Ne duhet ta zbatojmë pakon e Ahtisarit, sepse variant tjetër nuk ka, e plan B nuk ka për Kosovën”
, vlerëson Shala.

Por, bashkëpunim me Serbinë ka kërkuar në mbledhjen e tij të fundit edhe Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i cili mbikëqyr zbatimin e Pakos së Ahtisarit.

Ndërkohë, fusha ku fare nuk ka filluar zbatim, është kthimi i arkivit dhe artefakteve të Kosovës nga Serbia.
XS
SM
MD
LG