Ndërlidhjet

Kriza e mundshme


Shkup
Shkup

Ekspertët shqiptarë, Osman Kadriu dhe Ibrahim Mehmeti, vlerësojnë se pa inkorporimin e kërkesave të bllokut politik shqiptar në ndryshimet kushtetuese, të iniciuara nga partia e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, Kushtetuta do të gjenerojë krizë dhe tensionim të raporteve ndëretnike.



Ekspertët shqiptarë vlerësojnë se, përderisa për kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, mbeten të papranueshme kërkesat e bllokut politik shqiptar, që në ndryshimet kushtetuese të përfshihet praktika e Parimit të Badinterit në zgjedhjen dhe vendimmarrjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, si dhe miratimin e buxhetit shtetëror, vështirë se mund të flitet për stabilitet politik në Maqedoni, gjë që, siç thonë, është shumë e nevojshme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e integrimit të vendit.

“Nëse këto kërkesa nuk pranohen në këto ndryshime të Kushtetutës, Kushtetuta e Maqedonisë përsëri do të jetë gjenerator i krizës politike në vend, që do të reflektojë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”
, vlerëson eksperti për çështje kushtetuese, Osman Kadriu, duke thënë se nuk qëndron arsyetimi i kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, se kërkesat e bllokut politik shqiptar janë jashtë kornizës së Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk mund të thuhet së kërkesat janë jashtë Marrëveshjes së Ohrit, meqenëse ato nuk janë të parapara pikë për pikë për çdo çështje, por ky dokument, në mënyrë parimore, i parasheh çështjet që kanë të bëjnë me statusin juridik dhe politik edhe të shqiptarëve, por edhe etniteteve të tjera. Pra, dokumenti kornizë i Ohrit nuk i sanksionon ato”, thekson Kadriu.

Ndërkaq, për shkak të dallimeve të thella etnike mes politikanëve shqiptarë dhe atyre maqedonas, analisti maqedonas, Vlladimir Bozhinovski, thotë se iniciativa për ndryshime kushtetuese nuk do të ketë sukses.

Bozhinovski thotë se kërkesat e shqiptarëve për të inkorporuar votimin e dyfishtë në funksionimin e Këshillit Gjyqësor dhe miratimin e buxhetit shtetëror, janë ekstreme, andaj, sipas tij, mbeten të papranueshme jo vetëm për pushtetin, por edhe opozitën.

“Askush nuk mund ta marrë përgjegjësinë që t’i pranojë këto kërkesa, jo vetëm Gruevski në pushtet, por edhe Cërvenkovski, që gjithmonë përkrah vendime kundër kryeministrit, kësaj radhe publikisht u deklarua se nuk mund t’i mbështesë ato. Pra, nëse insistohet që të arrihet konsensus i gjerë për ndryshimet kushtetuese, procesi do të bllokohet”
, nënvizon Bozhinovski.

Nga ana tjetër, publicisti shqiptar, Ibrahim Mehmeti, vlerëson se Marrëveshja e Ohrit duhet të shihet si kornizë, e cila mundëson përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, si dhe ndërtimin e një shoqërie funksionale shumetnike, e jo siç tentojnë ta interpretojnë edhe në këtë rast udhëheqësit politikë maqedonas, veçmas kryeministri Gruevski, si kornizë që përcakton interesat vetëm të shqiptarëve.

“Problemi i bllokut politik shqiptar është se nuk arrin ta bindë opinionin se Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm e shqiptarëve, por është një dokument kornizë që tangon gjithë shoqërinë. Ata duhet të përpiqen ta bindin opinionin se kërkesat e tyre janë në favor të procesit të ndërtimit të një shoqërie të re demokratike shumetnike”,
thotë Mehmeti.

Ndryshe, javën e kaluar, në pamundësi që t’i harmonizojnë qëndrimet për ndryshimet kushtetuese, që kanë të bëjnë me reformat në gjyqësor, liderët e katër partive parlamentare ranë dakord që të formohen grupe punuese në nivel ekspertësh, për t’i sinkronizuar dallimet.
XS
SM
MD
LG