Ndërlidhjet

Marrëdhëniet Shqipëri - Maqedoni


Shkup, 14 prill 2010.
Shkup, 14 prill 2010.

Jetësimi i Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe falënderimi për njohjen e Kosovës nga ana e Shkupit zyrtar, kanë qenë temat kryesore të takimit midis presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, dhe atij shqiptar, Bamir Topi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Maqedoni.


Presidenti shqiptar, Bamir Topi, dhe homologu i tij maqedonas, Gjorgje Ivanov, pas takimit kokë më kokë në Shkup, i vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidentët Topi dhe Ivanov, në një konferencë të përbashkët, vunë theksin në rëndësinë e integrimit të dy vendeve fqinje.

"Bashkëpunimi për ëndrrën euroatlantike duhet të vazhdojë. Dy vendet tona kanë një rol të rëndësishëm për rajonin", u shpreh Topi.

Presidenti shqiptar, duke folur për liberalizimin e vizave, tha se Shqipëria është shumë afër këtij momenti, duke theksuar se nga kjo e drejtë nuk duhet të përjashtohen as qytetarët e Kosovës. Lëvizja e lirë, tha Topi, është sinjal për një stabilitet rajonal.

"Unë këtu nuk po flas për interesin e Shqipërisë, sepse, siç theksova, Shqipëria shumë shpejt do ta liberalizojë lëvizjen e lirë të njerëzve, por këtë koment e bëj për popullin e Kosovës, i cili nuk mund të privohet nga lëvizja e lirë”.

“Kam besim se Evropa, Brukseli do të bëjnë të mundur që popujt e rajonit, të Ballkanit Perëndimor, ta kenë shansin të lëvizin të gjithë të lirë në një kohë sa më të afërt. Sigurisht se ne gëzohemi për lëvizjen e lirë të fqinjëve tanë, qoftë dhe të popullit serb, por dëshirojmë që kjo të ndodhë edhe për popullin e Kosovës”
, theksoi presidenti Topi.

Presidenti i Shqipërisë përshëndeti zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila, sipas tij, kontribuon për zhvillimin stabil të marrëdhënieve demokratike, si dhe barazinë për të gjithë qytetarët në Maqedoni.

Presidenti Bamir Topi në takimet me presidentin Gjorgje Ivanov gjithashtu vlerësoi lart edhe marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Kosovës, duke shprehur me këtë rast falënderime për autoritetet e Shkupit lidhur me njohjen e Kosovës dhe zgjidhjen e demarkacionit të kufirit midis dy vendeve.

Topi bëri të ditur se ai dhe homologu i tij maqedonas kanë marrë ftesë për takimin e përbashkët trepalësh me presidentin kosovar, Fatmir Sejdiu, në qershorin e këtij viti, në kuadër të një konference rajonale, që do të mbahet nën patronazhin e presidentit të Kosovës në Prizren.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, nënvizoi se dy vendet i lidhin shumë punë, mes të cilave historia e përbashkët, gjeografia, si dhe sfidat e përbashkëta në sferën e reformave.

“Segment kryesor në marrëdhëniet tona duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, për të cilin vlerësoj se aspak nuk korrespondon me nivelin e marrëdhënieve politike midis dy vendeve”, tha Ivanov.

Ai theksoi edhe nevojën për përkrahjen e ndërsjellë në planin e integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO, për shkak se, sipas tij, integrimi i këtyre vendeve në rajon do ta forcojë stabilitetin.

Dy presidentët biseduan edhe për ndërtimin e Korridorit 8, hekurudhën, si dhe mbrojtjen e zonës ekologjike Ohër - Prespë.

Gjatë vizitës dyditëshe në Shkup, presidenti shqiptar, Bamir Topi, realizoi takime dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e Parlamentit, ndërkohë që pritet të takohet me liderët e partive kryesore parlamentare. Nesër, delegacioni, i kryesuar nga presidenti Topi, do t'i vizitojë edhe komunat Tetovë dhe Dibër, ku pritet të shpallet qytetar nderi.
XS
SM
MD
LG