Ndërlidhjet

Libri: S'ka lexues apo s'ka ofertë?



Libri në Kosovë nuk ka edhe aq shumë adhurues. Me një konstatim të tillë është shënuar Dita Ndërkombëtare e Librit në Kosovë. Nazmi Rrahmani, shkrimtar, thotë se shënimi i kësaj dite është më tepër një kujtim për librin dhe ndoshta një ëndërr e dëshirë që libri në Kosovë të jetë më i dëshirueshëm.

“Libri në Kosovë ka probleme shumë dhe kjo ditë ndoshta është një nxitje për të gjitha subjektet që libri të jetë më në qendër të vëmendjes së tyre”, thotë Rrahmani.

Por, si e komentojnë të rinjtë faktin që libri nuk lexohet sa duhet? Ardian Bislimi nga Prishtina ka një shpjegim të vetin:

“Libra lexoj më pak se përpara, sepse informatat i marr përmes internetit“.

Ai gjithashtu mendon se në këtë fenomen ndikon edhe çmimi me të cilin shitet një libër, e që, sipas tij, është i lartë.

“Çmimet e librit, me standard të Kosovës, janë pak të larta. Mundësia e informimit është më e madhe përmes mjeteve të tjera, si interneti”, thotë Ardian Bislimi.

Violeta Gagica, punonjëse në librarinë “Dukagjini”, thotë se, në përgjithësi, interesimi për librin nuk është i vogël. Ajo ka një mendim ndryshe për fenomenin e mosleximit. Sipas saj, në Kosovë nuk ka ofertë të mjaftueshme librash.

“Ka interesim për lexueshmëri të librave. Po mundohemi ta mbajmë në hap lexueshmërinë, kërkesat për lexueshmëri janë të mëdha. Flitet për lexueshmërinë, se sa lexohet, por jo edhe sa ofrohen libra. Në Kosovë ka mungesë të librave të lexueshëm në botë”, thotë Gagica.

Sipas saj, ajo që shitet më së shumti është literatura për fëmijë.

Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, thotë se të gjithë duhet të mendojnë për rëndësinë që ka libri për shoqërinë në përgjithësi, duke iu adresuar posaçërisht institucioneve të vendit.

Duhet të mendojnë më shumë për rëndësinë që ka libri në përgjithësi dhe Kosova duhet të bëjë më shumë që ta mbështesë veprimtarinë botuese, duke i dhënë përparësi librit, kulturës në shekullin 21”, thotë Bashota.

Sipas tij, institucionet janë ato që duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes librit, qoftë në fushën e botimit, përkthimit, të drejtës autoriale dhe promovimit të librit në përgjithësi.
XS
SM
MD
LG