Ndërlidhjet

EULEX-i rritet në veri?


Pavarësisht interesimit të autoriteteve vendore e evropiane për rritjen e pranisë në veri të Kosovës, në misionin EULEX thonë se nuk ka plane për një gjë të tillë. Por, çështja e pazgjidhur e gjykatave në veri mund të ndryshojë veprimet e misionit në këtë drejtim.


Mungesa e një zgjidhjeje për rifunksionimin e tërësishëm të gjykatave në veri të Mitrovicës, duket se mund ta detyrojë misionin e Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë që ta rrisë praninë e vet në këtë pjesë të vendit.

Aktualisht, në tërë rajonin e Mitrovicës, EULEX-i ka personel prej 534 personash, prej të cilëve 381 janë pjesë e komponentit të policisë, 30 të komponentit të drejtësisë, 57 të komponentit të doganave dhe 66 të angazhuar në administratë dhe në zyrën e shefit të misionit.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se për momentin nuk ka plane për rritjen e numrit të misionarëve evropianë në veri, porse një gjë e tillë mund të ndryshojë.

”EULEX-i nuk planifikon ta rrisë numrin e personelit në veri të Kosovës. Sidoqoftë, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës, EULEX-i do të jetë i detyruar ta rrisë numrin e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë”, tha Krasniqi.

Bisedimet ndërmjet EULEX-it, autoriteteve kosovare dhe atyre serbe për rikthimin e gjykatësve e prokurorëve në gjykatat në veri të Kosovës, deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat.

Ideja për rikthimin e gjykatësve serbë ”të akredituar” nga Qeveria e Serbisë ishte hedhur poshtë nga përfaqësues të institucioneve përgjegjëse në Kosovë, të cilët e kishin cilësuar të papranueshëm një hap të tillë.

Problemet që lidhen me veriun e Kosovës vazhdojnë të mbizotërojnë agjendën e veprimeve jo vetëm të misionit EULEX, por edhe të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Mirëpo, përveç veriut, Bashkimi Evropian duket se është i interesuar ta rrisë praninë e vet edhe në pjesët e tjera të Kosovës.

Ditë më parë, Bashkimi Evropian i ndau një buxhet prej më se 1.6 milion eurosh Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, për periudhën mars-gusht të këtij viti, kur përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Piter Feith, edhe i përfundon zyrtarisht kontrata.

Zëdhënësja e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Julia Reuter, tha se Brukseli ka vendosur që ta forcojë rolin e kësaj zyre në Kosovë.

“Kjo do të përfshijë, për shembull, ofrimin e mbështetjes për autoritetet kosovare në proceset politike, në fakt dhënien e kontributit në zhvillimet për konsolidimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore në Kosovë, por edhe në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë fetare e kulturore”, tha ajo, për të shtuar se në të ardhmen do të shihet rritja e aktiviteteve në këto fusha, në përputhje me mandatin e Përfaqësuesit Special BE-së.

Jetëgjatësia dhe lloji i mandatit të Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, i cili vlen deri në muajin gusht, do të varet nga vendimi i radhës i shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Kjo e fundit, muajin e shkuar, ua dorëzoi përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së një draft-dokument në lidhje me ndryshimet në Shërbimin e Jashtëm Veprues të Bashkimit Evropian. Në këtë dokument nuk ishin të përfshira korniza vepruese edhe për rreth 11 përfaqësuesit special të BE-së në rajon dhe botë.

Ndarja e çështjes së mandateve të përfaqësuesve evropianë në botë dhe ajo e Shërbimit të Jashtëm Veprues Evropian thuhet se është bërë për shkak të nevojës për t’iu përshtatur specifikave të vendeve në të cilat veprojnë të dërguarit e BE-së.
XS
SM
MD
LG