Ndërlidhjet

Lajiç: Kompromisi për Kosovën, pas GJND-së



“Kompromisi për të ardhmen e Kosovës është i nevojshëm dhe mund të arrihet vetëm përmes negociatave”, deklaroi Rasim Lajiç.

Ai shtoi se koha e përshtatshme për fillimin e bisedimeve me Prishtinën është pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Zgjidhja, sipas së cilës shqiptarët e Kosovës fitojnë gjithçka, nuk është e qëndrueshme dhe nuk është e mirë as për Kosovën. Në këto kushte Kosova nuk mund të jetë anëtare e forumeve ndërkombëtare”, tha Lajiç, aktualisht ministër i Punës dhe Politikave Sociale.

Ai është shprehur i kënaqur me gjetjen e kompromisit për pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e Sarajevës. “Kjo na mundëson për të qenë në tryezë ku po diskutohemi dhe njëherësh nuk e pranuam pjesëmarrjen e Kosovës si shtet.”

Lajiç theksoi se partia që ai drejton, Partia Socialdemokrate e Serbisë, do të paraqitet në mënyrë të pavarur në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.
“Do paraqesim politikat tona rreth Kosovës, njerëzit që do t’i zbatojnë këto politika si dhe një qasje tjetër për zgjidhjen e problemeve, me të cilat përballet popullsia që jeton në atë zonë”, tha Lajiç.

Ai shtoi se nevojitet një politikë më mirë e menduar në raport me Kosovën, në veçanti duke pasur parasysh se Serbia ndan çdo vit 500 milionë euro, për serbët që jetojnë në Kosovë.

“Nuk jam i sigurtë se këto para po shpenzohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne nuk mund të lejojmë që institucionet e Kosovës të ndërtojnë më shumë shtëpi për të kthyerit se sa ne”.

Lajiç theksoi nevojën e rimëkëmbjes ekonomike në Kosovë si kusht për të bindur serbët që të mbeten aty.

Lajiç shtoi se rreth 1500 banorë të Mitrovicës marrin ndihma sociale. Shumica e banorëve serbë në Mitorivicë jeton me 60-110 euro në muaj, por ka dhe nga ata që fitojnë 1800 euro në muaj, e madje ka dhe të tjerë që fitojnë 4000-5000 euro në muaj, tha Lajiç.

Komentet e Lajiçit u bënë për mediat serbe.
XS
SM
MD
LG