Ndërlidhjet

Protesta në Shkup – “Për drejtësi”


Shkup, 10 maj 2010.
Shkup, 10 maj 2010.

Me brohoritjet liri, barazi dhe drejtësi ka nisur protesta masive e disa mijëra qytetarëve para pallatit të gjykatave, duke vazhduar rrugën drejt Parlamentit, e më pas duke kaluar te godina e Qeverisë.

Faton Mehmeti, nga Këshilli Organizativ, theksoi se protesta e këtillë ka detyruar shqiptarët e Maqedonisë të dalin në rrugë, në shenjë revolte kundër diskriminimit që ushtron Qeveria aktuale ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Marshi protestues nga gjykatat, më pas te Parlamenti dhe në fund te Qeveria, simbolizon trinomin diskriminues, i cili vepron kundër shqiptarëve. Gjykata e korruptuar dhe monoetnike që dënon pa asnjë argument shqiptarë të pafajshëm. Parlamenti i dominuar nga maqedonas etnikë që miraton ligje antishqiptare dhe një Qeveri e dominuar nga maqedonas etnikë që ekzekuton aktet antishqiptare të miratuara nga Parlamenti”,
tha Mehmeti.

Faton Mehmeti, në emër të Këshillit të organizatave joqeveritare shqiptare, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë në sistemin represiv të pushtetit gjyqësor në Maqedoni dhe ndaj institucioneve të tjera represive.

Shkup, 10 maj 2010.
Mehmeti, me këtë rast, theksoi se barazia e plotë e dy komuniteteve kryesore është rruga e vetme dhe më e sigurt për të arritur në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Rruga jonë e vetme dhe e pakthyeshme mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por atje nuk arrihet me politika diskriminuese dhe antidemokratike apo me një gjyqësor nacionalist dhe të korruptuar njëkohësisht. Ta arrijmë këtë sa më shpejt për të mirën tonë të përbashkët dhe për një të ardhme evropiane. Barazia e plotë e dy komuniteteve kryesore, atij shqiptar dhe maqedonas, është rruga e vetme dhe më e sigurt për të arritur në BE”, theksoi Faton Mehmeti.

Protesta ka gjetur mbështetjen e partive politike shqiptare në opozitë, ndërsa është kundërshtuar vetëm nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet.

Deputetja Flora Kadriu, nga Demokracia e Re, me këtë rast theksoi:

“Ne konsiderojmë se çdo gjë duhet të realizohet përmes institucioneve, por, mbasi në institucione nuk dëgjohet zëri i qytetarëve e as i përfaqësuesve të qytetarëve që janë në opozitë, është normale që pakënaqësia të shprehet në rrugë. Ne përkrahëm qytetarët, ngase ata, në formën demokratike, dëshmuan pakënaqësinë ndaj politikave që i krijon dhe zbaton kjo qeveri”.


Protestuesit janë shpërndarë në mënyrë të qetë, nën mbikëqyrjen e forcave të mëdha të sigurisë, që ishin pozicionuar para institucioneve shtetërore, para të cilave parakaluan protestuesit.

Protesta e qytetarëve shqiptarë në Shkup
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:56 0:00
XS
SM
MD
LG