Ndërlidhjet

Klinton: Bota duhet të reagojë për fundosjen e luftanijes



Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton i bëri thirrje botës të reagojë ndaj fundosjes së luftanijes jugkoreane nga torpedoja në incidentin, për të cilin hetuesit ndërkombëtar e fajësuan Korenë Veriore.

Klinton i bëri këto komente pas takimit me liderët e Koresë Jugore në Seul.

“Hetimi i pavarur ndërkombëtar ishte objektiv, provat të shumta dhe konkludimi i pashmangshëm. Ky ishte një provokim i papranueshëm nga Korea Veriore, dhe bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi dhe obligim të përgjigjet”, tha Klinton.

Ajo tha se fundosja e luftanijes “kërkon përgjigje të fortë por të matur”, dhe se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen me Korenë e Jugut dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit për veprimet e duhura.

Ndërkohë, zv/ministri i Jashtëm i Kinës, Zhang Zhixhun, tha se Pekini ende po i vlerëson informatat rreth fundosjes së anijes, duke shtuar se “dialogu është më i mirë se konfrontimi”.

Korea Veriore mohon çdo lidhje me incidentin e marsit, ku u vranë 46 marinarë.
XS
SM
MD
LG