Ndërlidhjet

Guardian: “Ballkani e meriton këtë”


Shkruajnë: Hillari KLINTON, sekretare amerikane e Shtetit, Kethrin ESHTON, shefe e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian, dhe Miguel Angel MORATINOS, ministër i Punëve të Jashtme i Spanjës.







Pothuajse një shekull më parë, një luftë që ndryshoi historinë e Evropës, nisi në Sarajevë. Gati 20 vjet më parë, ky qytet ishte qendër e një konflikti tjetër të dhunshëm, që mori fund vetëm me Marrëveshjen e Dejtonit, në vitin 1995.

Dhjetë vjet më parë, me kujtimin ende të freskët rreth luftërave në Jugosllavi, Bashkimi Evropian afirmoi rolin vendimtar të institucioneve shumëpalëshe euro-atlantike në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit.

Sot, Sarajeva është në paqe, një simbol i rilindjes dhe pajtimit, që përfaqëson të gjitha mundësitë dhe sfidat e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Të mërkurën, presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian do të mbajë një takim ministror në Sarajevë, ku do të marrin pjesë liderë të lartë nga vendet anëtare të BE-së, nga Ballkani Perëndimor, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Turqia, për të rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për sigurinë e Ballkanit, në integrimin e tij në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

Integrimi i Ballkanit Perëndimor mbetet një nga sfidat e fundit për ndërtimin e një Evrope demokratike dhe të bashkuar.

Në Sarajevë, ministrat e Bashkimit Evropian do të theksojnë angazhimin e tyre për të vendosur Ballkanin në Evropë. Ministrat nga rajoni do të rikonfirmojnë angazhimin e tyre për t’i zbatuar reformat e nevojshme, për t’i përmbushur aspiratat e popullit të tyre dhe për t’i vendosur vendet e tyre në rrugën e komunitetit euro-atlantik.

Siç është parë në dy dekadat e fundit, perspektiva e integrimit në BE dhe në NATO është një drejtuese e fuqishme e reformave, e prosperitetit ekonomik dhe e sundimit të ligjit. Kjo do të thotë një vend në tryezën e vendimeve evropiane, lëvizje e lirë e mallrave dhe e njerëzve, si dhe garanci për siguri.

Njerëzit e rajonit duan dhe meritojnë transparencë e llogaridhënie të qeverive të tyre, një fushë për biznese dhe mundësi për t’i rritur fëmijët në paqe dhe siguri. Ritmi i ndryshimeve globale është i tillë që askush prej nesh nuk mund t’i përballojë stagnimet. Zotimet e të dyja palëve duhet të jenë reale, e jo retorike.

Arsyeja për këtë rrugë të re është e qartë: të zëvendësohet dinamika e vjetër e shpërbërjes me dinamikën e re të integrimit evropian. Traktati i Lisbonës shpreh ambiciet e BE-së për t’u bërë një aktor më efektiv global dhe Ballkani paraqet një provë të rëndësishme për suksesin e kësaj ambicieje.

Krerët e Ballkanit do ta kenë mbështetjen e plotë, derisa ata ballafaqohen me sfidat e reformave. Në përputhje me kriteret politike dhe ekonomike të Kopenhagës, ata duhet të angazhohen për pajtimin në mes të komuniteteve etnike dhe fetare, si dhe të grupeve politike, për të ndërtuar një konsensus të ri kombëtar.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë kursyer asnjë përpjekje gjatë këtyre muajve, për të trajtuar shumë fronte në procesin e stabilizimit dhe të “evropianizimit” të Ballkanit. Administrata Obama është e përkushtuar që të mbetet e angazhuar në rajon, nëpërmjet përmbushjes së vizionit të përbashkët.

Pak më shumë se një vit më parë, Xho Bajden, nënpresident i Shteteve të Bashkuara, dhe Havier Solana, ish-përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, vizituan Sarajevën, me një mesazh shprese: dyert e institucioneve euro-atlantike mbeten të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit, posa t’i përmbushin kushtet për pranim.

Marrëveshja me rajonin, për të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashuara do të ripërkushtohen në Sarajevë të mërkurën, mbetet e prerë: ne jemi të gatshëm për t’i ndihmuar qytetarët dhe krerët e rajonit në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë së bashku. (v.t.)
XS
SM
MD
LG