Ndërlidhjet

WP: “Dështimi i flotës”


"Washington Post"

Komandot izraelite që ndërhynë në anijen turke Mavi Marmara, në brigjet e Rripit të Gazës, në orët e hershme të së hënës, ishin krejtësisht të papërgatitura për atë që hasën: dhjetëra militantë që u vërsulën rreth tyre me thika dhe gjësende hekuri.

Rezultati ishte një betejë e përgjakshme, në të cilën humbën jetën së paku nëntë pasagjerë, si dhe një përmbsyje diplomatike për Qeverinë e Benjamin Netanjahut.

Megjithëse hetimet që do të vijnë do të gjejnë shumë për të fajësuar, tashmë është e qartë se reagimi i Izraelit ndaj flotës pro-palestineze ishte i pamatur dhe i ekzekutuar keq.

Nuk ka asnjë simpati për motivet e pjesëmarrësve në flotë – në përbërje të së cilës ishin edhe simpatizantë evropianë të kauzës palestineze, liderë arabo-izralitë dhe aktivistë islamikë të Turqisë.

Izraeli thotë se disa nga organizatorët kanë lidhje me Hamasin dhe Al Kaidën.

Ajo që është e qartë është se qëllimi i grupit për të dërguar ndihma “humanitare” në Gaza, ishte më i vogël krahasuar me synimin për të provokuar ndonjë konfrontim.

Flota kishte hedhur poshtë ofertën e Izraelit për t’i shkarkuar të gjashtë anijet dhe për t’i dërguar mallrat në Gaza me kamion; ajo ka injoruar paralajmërimet e vazhdueshme se nuk do të lejohet të arrijë në Gaza.

Kërcënimi për Izraelin ishte më tepër politik, sesa ushtarak. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë indikacion se anijet bartnin raketa apo armë të tjera për Hamasin.

Qëllimi i Netanjahut do të duhej të ishte parandalimi i miliatntëve për të krijuar incidentin.

Të lejohen anijet të futen në Gaza, ashtu siç ka bërë Izraeli më parë, do të ishte më mirë, sesa të dërgohen komandot ushtarake për t’i ndaluar ato.

Izraeli tani do të kalojë ditë, nëse jo muaj, me dënime nga ana e armiqve të tij. Bisedimet për paqe në Lindjen e Mesme janë përsëri në rrezik, siç janë marrëdhëniet, dikur të forta, të Izraelit me Turqinë.

Shtëpia e Bardhë, siç duket, deri më tani ka qenë e kujdesshme për të reaguar rreth incidentit; ajo, në ditët e ardhshme, duhet ta dallojë veten nga kori anti-izraelit.

Diploamcia e Shteteve të Bashkuara do të duhej të sigurojë se thirrjet e pashmangshme për një hetim ndërkombëtar nuk do të çojnë në një tjetër marrëveshje të njëanshme, si Komisioni Goldstone i Kombeve të Bashkuara, raporti i të cilit mbi invazionin e Izraelit në Gaza, në vitin 2008, ishte bërë një tjetër armë në fushatën ndërkombëtare për delegjitimitetin e shtetit hebraik.

Për Netanjahun, e vetmja rrugë për të dalë nga kjo fatkeqësi qëndron në përqafimin, njëherë e përgjithmonë, të hapave të besueshëm për krijimin e kushteve për një shtet palestinez.

Një fillim i mirë do të ishte që t’i reduktojë kufizimet në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, posa të qetësohen reagimet ndaj ngjarjeve të së hënës. Zoti Netanjahu po ashtu duhet të zgjerojë qeverinë e tij, duke përfshirë partitë pro-paqes. (v.t.)
XS
SM
MD
LG