Ndërlidhjet

Obama, Medvedev: Sukses në ripërtëritjen e raporteve


Presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev. Uashington, 24 qershor 2010.
Presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev. Uashington, 24 qershor 2010.

Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe ai rus, Dmitri Medvedev, thanë se kanë pasur “sukses në ripërtëritjen” e raporteve ndëmrjet dy vendeve dhe këtë e shënuan me drekë spontane, me burgerë dhe patate të fërguara.


Presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev thanë se kishin “diskutime të shkëlqyeshme” në Shtëpinë e Bardhë, që ishin të fokusuara në çështjet e sigurisë, të ekonomisë dhe të tregtisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, të dy liderët theksuan arritjet e mëdha në kuadër të bashkëpunimit të qeverive të tyre, përfshirë edhe marrëveshjen për kontrollin e armatimit bërthamor dhe mbështetjen për sanksione kundër Iranit, lidhur me programnin e dyshuar atomik iranian.

Medvedev tha se përpjekjet po i japin rezultatet për paqe.

“Në kohët aktuale, ne kemi bërë disa hapa të mirë në forcimin e besimit ndërmjet dy vendeve tona dhe ndërtimin e strukturës më solide në raportet tona. Mund të them se, deri në një shkallë, ne e kemi bërë botën tonë më të sigurt”, tha Medvedev.

Raportet e ripërtërira ndoshta i kanë përparuar qëllimet e sigurisë së të dyja vendeve, por nuk ishin aq efektive në përmirësimin e të arriturave në fushën e të drejtave të njeriut në Rusi, për të cilat aktivistët në të dyja shtetet thonë se janë lënë anash, në mënyrë që progresi të bëhej në frontet më strategjike.

Front strategjik konsiderohet, për shembull, tregtia.

Medvedev arriti fitore të madhe gjatë kësaj vizite, kur ai e siguroi mbështetjen e presidentit Obama për anëtarësim të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Për një kohë të gjatë, Moska ka synuar mbështetjen amerikane. Obama tha se anëtarësimi do ta “thellojë integrimin e Rusisë në ekonominë globale”.

Më tutje, presidenti Obama theksoi:

“Zoti president, Shtetet e Bashkuara do të jenë partnerë i juaj, derisa ju e promovoni transparencën, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit, që janë të nevojshme për nxitjen e shpirtit të inovacioneve në ekonominë e juaj”.

Rusia është ekonomia e tetë në botë, por radhitet në vendin e 25-të, në mesin e partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

Por, pos bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, Barak Obama tha se të dyja qeveritë janë pajtuar për zgjerimin e bashkëpunimit, në përpjekjet kundër terrorizmit, përfshirë edhe fushën e inteligjencës.

Ai pranoi se dallimet ndërmjet Moskës e Uashingtonit mbesin, përfshirë edhe ato për Gjeorgjinë, e cila kishte zhvilluar luftë kundër Rusisë në vitin 2008.

“Të dyja vendet tona vazhdojnë të mos pajtohen për çështje të caktuara, siç është Gjeorgjia, dhe ne i shqyrtuam këto dallime në mëynrë të sinqertë. Por, duke lëvizur përpara në fushat ku ne pajtohemi, kemi arritur ripërtëritjen e marrëdhënieve tona, nga të cilat përfiton siguria globale dhe rajonale”, tha Obama.

Sa i përketë Kirgizisë, ku periudha e trazirave politike dhe përleshjet etnike mund të kenë pasoja potenciale serioze si për Rusinë, që është një aktor rajonal, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara, që në këtë vend kanë një bazë strategjike ushtarake, të dy liderët thanë se ata janë pajtuar t’i koordinojnë përpjekjet e tyre diplomatike dhe ato humanitare. (f.b.)

XS
SM
MD
LG