Ndërlidhjet

FH: Decentralizimi sukses, korrupsioni në rritje…



Kosova ka vazhduar ta ruajë stabilitetin e brendshëm dhe të ndjekë njohje ndërkombëtare edhe gjatë vitit 2009. Numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e saj u ngrit në 64 gjatë atij viti, me një ritëm të ngadalësuar për shkak të shqyrtimeve mbi këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat filluan më 1 dhjetor.

Tridhjetë shtete kanë marrë pjesë në seancat dëgjimore të gjykatës, përfshirë Kosovën. Në qershor të vitit 2009, Kosova u bë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

Arritja më e madhe e këtij vendi në vitin 2009 ishte zbatimi i decentralizimit, i cili është legjitimuar edhe nga pjesëmarrja e konsiderueshme e serbëve të Kosovës në zgjedhjet vendore të nëntorit dhe dhjetorit, me gjithë kundërshtimet e fuqishme nga Beogradi.

Zgjedhjet, të parat që u organizuan nga institucionet e Kosovës, ishin kryesisht të suksesshme, edhe pse disa keqpërdorime ishin raportuar. Derisa njohja efektive e komunave të reja të krijuara nga votuesit serbë mund të ketë zbehur prospektet për ndarjen e Kosovës, veriu i këtij vendi vazhdon të jetë jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës.

Procesi i ndërtimit dhe sforcimit të institucioneve shtetërore të Kosovës ka vazhduar, por jo me ndonjë sukses të konsiderueshëm. Nuk ka pasur përmirësime në sundimin e ligjit, ndonëse Gjykata Kushtetuese u funksionalizua kah mesi i 2009-ës, kurse misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, përmbushi kapacitetet e tij në tërësi në fushën e policisë, doganave dhe gjyqësisë.

Forca paqeruajtëse e udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, e cila është përgjegjëse për sigurinë e përgjithshme, filloi reduktimin, ngjashëm sikurse edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK.

Trendet negative janë shënuar edhe në kuadër të kufizimeve të lirisë së shprehjes dhe të rritjes së korrupsionit. Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollin mbi transmetuesin publik dhe median e pavarur, emërimi i shërbyesve seniorë civilë vazhdon t’i nënshtrohet në rritje ndërhyrjeve politike dhe roli i shtetit në ekonomi është rritur në mënyrë dramatike.

Prania ndërkombëtare në Kosovë nuk e ka shfrytëzuar ndikimin që ka mbi autoritetet vendore për të eliminuar trendet negative në qeverisje.

Në vend të kësaj, ajo është përqendruar më shumë në zbatimin e provizioneve themelore të Propozimit Gjithëpërfshirës mbi Statusin (PGJS) dhe ka filluar planet për rikonfigurimin e mëtejmë të kësaj pranie.


Qeverisja qendrore demokratike

Trendet negative në qeverisje janë vërejtur në pjesën më të madhe të 2009-ës, posaçërisht në raport me kufizimet mbi lirinë e të shprehurit dhe rolin dominues të Qeverisë në ekonomi.

Konsolidimi i institucioneve shtetërore ka thelluar ndarjet përgjatë lumit Ibër, duke bërë që territori i dominuar nga serbët në veri të vazhdojë të refuzojë çdo bashkëpunim direkt me autoritetet në Prishtinë.

Ndërkohë, serbët në pjesët tjera të vendit kanë bashkëpunuar me qeverinë qendrore dhe kanë filluar gradualisht të integrohen me pjesën tjetër të shtetit.

Misionet ndërkombëtare kanë vazhduar me rikonfigurimin e tyre, me EULEX-in që arriti të plotësojë operacionalizimin e kapaciteteve në muajin prill, me UNMIK-un dhe KFOR-in që u shkurtuan dukshëm dhe me Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila është e përqendruar në zbatimin e PGJS-së.

Për shkak të praktikave të përkeqësuara në 2009-ën, vlerësimi për qeverisjen kombëtare demokratike të Kosovës përkeqësohet nga 5.25 në 5.50.


Procesi zgjedhor

Zgjedhjet lokale të mbajtura në nëntor dhe dhjetor të 2009-ës, ishin të parat që u menaxhuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë. Partitë politike që përfaqësuan grupet e ndryshme etnike të Kosovës u certifikuan për të marrë pjesë.

Rreth 45 për qind nga 1,5 milion qytetarë me të drejtë vote morën pjesë në raundin e parë dhe përveç atyre në veriun e Kosovës, banorët serbë dolën në numra të lartë. Përgjithësisht, pjesëmarrja e serbëve ishte 10 herë më e madhe sesa që ishte në 2007-ën.

Rreth 22,000 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë u regjistruan për të monitoruar votimet, të cilat ata i vlerësuan si kryesisht të lira dhe të ndershme.

Partitë politike kanë sfiduar disa nga rezultatet e para, duke shenjuar edhe shfrytëzimin për herë të parë të institucioneve siç është Gjykata Supreme e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese për këtë qëllim.

Institucionet e pavarura zgjedhore, si Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa, ndërmori hapa për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, duke anuluar rezultatet në tri komuna përballë dëshmive për keqpërdorim dhe duke rishpallur zgjedhjet për to në fillim të 2010-ës. Në dritën e këtyre zhvillimeve pozitive, vlerësimi për procesin zgjedhor në Kosovë është përmirësuar nga 4.50 në 4.25.


Shoqëria civile

Sektori i shoqërisë civile ka vazhduar të zhvillohet në 2009-ën, me përhapjen e vazhdueshme të organizatave joqeveritare. Këto grupe shpesh kanë qenë në betejë për të zhvilluar agjendat e tyre, për të siguruar fonde stabile dhe për të përmbushur vizionet e tyre strategjike.

Mbi të gjitha, ato kanë vazhduar të jenë të varura nga donatorët e huaj, shumë nga të cilët kanë prioritetet e tyre dhe nuk janë të gatshëm të shqyrtojnë apo mbështesin nismat lokale.

Megjithatë, pavarësisht këtyre dobësive, organizatat joqeveritare të Kosovës kanë arritur të shtojnë aktivitetet e tyre, përtej kapitalit që kanë dhe janë më të vëmendshme në monitorimin dhe kriticizmin ndaj Qeverisë. Si rezultat i kësaj, vlerësimi për shoqërinë civile të Kosovës përmirësohet nga 4.00 në 3.75.


Media e pavarur

Kufizimet e mprehta mbi lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehur në 2009-ën, duke përfshirë këtu edhe presionin e qeverisë mbi mediat publike dhe private, janë përballur me kritika të hapura nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Grupi Drejtues Ndërkombëtar, Komisioni Evropian, Reporterët pa Kufij dhe Unioni Evropian i Transmetimeve, kanë ngritur problemet dhe kanë bërë thirrje për përmirësime në këtë drejtim.

Në mesin e praktikave të gabueshme, Qeveria ka vazhduar të shfrytëzojë mjetet shtetërore për marketing në favor të mjeteve të informimit, që kanë afërsi me partinë në pushtet. Për shkak të këtyre abuzimeve të vazhdueshme, vlerësimi për median e pavarur në Kosovë mbetet në 5.50.


Qeverisja lokale demokratike

Qeverisja lokale demokratike e Kosovës është përmirësuar në 2009-ën. Numri i komunave është rritur në 36 pas zgjedhjeve vendore, me dy më shumë që janë themeluar edhe në pranverën e 2010-ës. Komunat e banuara me serbë në veriun e Kosovës kanë vazhduar të funksionojnë ndarazi, por banorët serbë në jug duket se kanë vendosur besimin e tyre në komunat e reja të banuara me serbë, të krijuara nga Prishtina.

Ministria e Pushtetit Lokal ka zbuluar se shumica e komunave kanë vepruar në harmoni me Ligjin për Vetë-qeverisjen Lokale. Megjithatë, kapacitetet zhvillimore të komunave mbeten të brishta. Deri në qershor të 2009-ës, qeveritë lokale kishin shpenzuar vetëm 28 për qind të fondeve të parapara për investime kapitale.

Për shkak të përmirësimit të përgjithshëm në administrimin dhe përfaqësimin komunal, vlerësimi për qeverisjen lokale demokratike të Kosovës përmirësohet nga 5.25 në 5.00.


Korniza dhe pavarësia gjyqësore

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, shtylla më e dobët institucionale në Kosovë, mbetet joefikas dhe i pambrojtur karshi ndërhyrjeve politike. Ka një mori çështjesh të pazgjidhura dhe koordinimi midis gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë është joadekuat.

Sundimi i ligjit vuan nga problemet strukturore të shërbimit prokurorial dhe mungesa e pavarësisë. Sikurse gjykatësit, ashtu edhe prokurorët, janë subjekte presioni dhe keqtrajtimi. Prania e EULEX-it ende nuk ka rezultuar me përmirësime në këto fusha. Duke marrë parasysh këtë mungesë përparimi, vlerësimi për kornizën dhe pavarësinë e gjyqësorit mbetet në 5.75.


Korrupsioni

Dukshmëria e nivelit të korrupsionit në Kosovë është rritur në 2009-ën, pjesërisht për shkak të mekanizmave më të mirë monitorues. Zbatimi i ligjit për prokurimin publik, i cili nuk ka qenë në një vijë me standardet e BE-së, ka ngritur shqetësime serioze, siç kanë bërë edhe rritjet e shpejta të tenderimeve njëburimore dhe vlera e përgjithshme e kontratave të prokurimit publik.

Zyra e Auditorit Gjeneral ka gjetur keqmenaxhime të neveritshme të buxhetit të Kosovës dhe është ankuar se nuk ka vullnet politik për të adresuar këto mangësi. Ndërkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit, ka nënshkruar memorandume mirëkuptimi për të përmirësuar bashkëpunimin me Komisionin e Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial dhe agjencitë tjera vendore e ndërkombëtare.

Numri i rasteve të korrupsionit të raportuara në Agjenci, është rritur dukshëm në 2009-ën. Duke marrë parasysh indikacionet e reja mbi korrupsionin dhe mungesën e përparimeve thelbësore për ta luftuar atë, vlerësimi mbi korrupsionin në Kosovë mbetet në 5.75.


Parashikimi për vitin 2010

Kosova do të përballet me sfida në rrafshin ndërkombëtar dhe atë vendor edhe në 2010-ën. Ndërkombëtarisht, mendimi këshillëdhënës i GJND-së mund të ndikojë drejtpërsëdrejti në njohjen e mëtejme të pavarësisë së Kosovës dhe në legjitimitetin e shtetit.

Në planin e brendshëm, hapa konkretë duhet ndërmarrë për të luftuar korrupsionin, për të siguruar transparencën e privatizimit të kompanive publike e fitimprurëse dhe për t’i dhënë fund presionit të Qeverisë mbi median publike dhe atë private.

Mbi të gjitha, koalicioni qeverisës i Kosovës mund të pësojë kolaps, gjë që do të mund të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve të reja qendrore gjatë kësaj vjeshte. (a.v.)
XS
SM
MD
LG