Ndërlidhjet

OKB: Paqeruajtësit në gjithë botën


Forca paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Forca paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Me personel të përbërë prej 124 mijë civilëve dhe ushtarëve të vendosur në të gjitha skajet e botës, forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara paraqesin segmentin më të madh dhe më të dukshëm të pranisë globale të OKB-së.

Rëndësia e tyre është shtuar në mënyrë dramatike gjatë dekadës së fundit dhe pritet që të ketë rol edhe më të gjerë në dekadën që vjen.

Kur Nick Birnback ishte paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Bosnjë e Hercegovinë, në vitin 1998, një çift i moshuar serb u vra pamëshirshëm në qytetin perëndimor, Dërvar.

Banorët lokalë i fajësuan kroatët etnikë për krim. Më tutje, Birnbackit i kujtohet se tensionet etnike u përshkallëzuan shpejt, ndërsa paqeruajtësit ishin zënë në mes të trazirave.

“Reagimi nga popullata lokale ishte shumë i ashpër dhe çdo gjë e përfshiu zjarri i madh. Një numër i ndërtesave të OKB-së dhe veturat tona u ndezën. Ne duhej të evakuonim njerëzit tanë. Kishim plagosje. Ndodhën gjëra dramatike, kishte trazira në Bërçko dhe në vendet e tjera”
, thotë Nick Birnback, i cili tash është zëdhënës për Departamentin e operacioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Ai thotë se paqeruajtësit apo “helmetat e kaltra”, siç njihen, shpeshherë e gjejnë veten në situata të rrezikshme.

Paqeruajtësit në Kosovë

Gjatë pesë viteve të kaluara janë vrarë afro 700 paqeruajtës në detyrë.

Operacionet paqeruajtëse paraqesin edhe pozicionin më të madh në buxhetin e Kombeve të Bashkuara, që për këtë vit parashihen afro 8 miliardë dollarë.

Operacionin e parë paqeruajtës, Kombet e Bashkuara e filluan në vitin 1948, kur misioni ishte dërguar në shtetin e ri të Izraeli, për ta monitoruar armëpushimin ndërmjet izraelitëve dhe shteteve arabe.

Prej atëherë, janë bërë 63 misione paqeruajtëse, që janë miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për të vepruar si faktor neutral i implementimit të marrëveshjeve paqësore në situatat pas-konfliktit.

Gjatë viteve të fundit, operacionet paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara janë përcjellë me dyshime për korrupsion, keqtrajtim dhe për dështimin për të vepruar në situatat e dhunës ekstreme.

Masakra e Srebrenicës, me ç’rast u vranë afro 8 mijë burra e djem myslimanë nga forcat serbe në korrik të vitit 1995, ndodhi megjithëqë ishte brenda “hapësirës së sigurt”, të shpallur nga OKB-ja dhe në praninë e afro 400 paqeruajtëse holandezë të Kombeve të Bashkuara, të cilët dështuan që ta parandalojnë masakrën.

Operacioni paqeruajtës në Ruandë, po ashtu, dështoi ta parandalojë gjenocidin e vitit 1994, në të cilin vlerësohet se u vranë afro 800 mijë njerëz.

Por, Kick Birnback i mbron operacionet paqeruajtëse, duke thënë se “helmetat e kaltra” shpeshherë dërgohen, pasi shfrytëzohen të gjitha opsionet e tjera.

“Ne nuk jemi përgjigjja e parë e komunitetit ndërkombëtar, ne zakonisht jemi përgjigjja e fundit. Ne dërgohemi kur duket se asgjë tjetër nuk funksionon. Pra, ne vendosemi në situatë kur gjërat aktualisht janë të këqija. Jo që ne startojmë në zero, por në disa raste nën zero”,
thotë Nick Birnbach.

Aktualisht Kombet e Bashkuara i kanë 16 misione aktive në botë, përfshirë edhe ato në Haiti, Kosovë, në Rrafshnaltën e Golanit, dhe në linjën e armëpushimit ndërmjet Indisë e Pakistanit, në Xhamu dhe Kashmir.

Pjesa më e madhe e misioneve paqeruajtëse janë në Afrikë: në vendet prej Republikës Demokratike të Kongos e deri në Bregun e Fildishtë dhe në Liberi.

Mund të thuhet se, në njëfarë mënyre, paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara janë ushtria më e madhe vullnetare në botë. Aktualisht, afro 115 vende kontribuojnë me trupa ushtarake dhe policore, ndërsa Bangladeshi, Pakistani dhe India, janë tri vendet që kontribuojnë më së shumti.

Alain Le Roy, shef aktual i operacioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, thotë se kompletimi me personel ushtarak nuk paraqet problem.

“Ne kemi më shumë oferta sesa që është kërkesa, prandaj duhet të bëjmë më tepër zgjedhje. Ekziston edhe garë ndërmjet vendeve për pjesëmarrje në paqeruajtje. Shumë vende, që i kam vizituar, kanë dëshirë për të marrë pjesë, pasi secili ushtar ose polic është krenar për të marrë pjesë në paqeruajtje”,
thotë Le Roy.
XS
SM
MD
LG