Ndërlidhjet

A do të vazhdojnë bisedimet Shkup-Athinë?


Shkup
Shkup
Dhjetëra organizata maqedonase në vazhdimësi bëjnë thirrje për ndërprerjen e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit, me arsyetimin se askush nuk guxon dhe nuk ka mandat të negociojë për diçka që është e shenjtë për çdo popull, siç është identiteti, gjuha apo ndryshimi i emrit të shtetit.

Organizatat e këtilla fillimisht janë paraqitur nga diaspora maqedonase, por thirrjet e tyre po mbështeten çdo ditë e më shumë edhe nga organizata brenda Maqedonisë, përfshirë së fundi edhe Qendrën maqedonase për hulumtimin dhe hartimin e politikave, si dhe analistë të ndryshëm.

Një ndër ata që kërkon ndërprerjen e bisedimeve është edhe Sllodoban Çashule, ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Ai thotë se si rezultat i, siç shprehet Çashule, politikës së marrë, çorientuese dhe zënkave idioteske brenda politikës maqedonase, Greqia ka arritur që të imponojë negociata në vend të bisedimeve vetëm për dallimet rreth emrit, ashtu siç parashikon edhe marrëveshja e përkohshme e vitit 1995.

Andaj, Çashule thotë se është koha për ndërprerjen e menjëhershme të negociatave.

“Sipas Kombeve të Bashkuara, marrëveshjes së përkohshme që është arritur edhe me pëlqimin e palës greke, ne duhet të bisedojmë për dallimet, e jo për ndryshimin e emrit. Por, për shkak të marrëzive tona dhe diktatit grek, këto bisedime, Athina arriti t'i shndërrojë në negociata për ndryshimin e emrit”.

“Pala greke tani, përveç emrit të shtetit, kërkon ndryshimin edhe të identitetit dhe nëse kjo bëhet, atëherë, sipas saj, gjithçka do të ishte në rregull”,
thotë Çashule, duke mbrojtur qëndrimin për ndërprerjen e negociatave me Greqinë.

Ne duhet që t'ia sqarojmë Bashkësisë Ndërkombëtare se bisedimet rreth dallimeve për emrin, Greqia i ka shndërruar në diktat, se ndryshimin e emrit të shtetit e ka vendosur si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që është në kundërshtim me kriteret, pas të cilave qëndron BE-ja, SHBA-të dhe Kombet e Bashkuara”, thekson Çashule.

Ai shton se nuk ka forcë politike në Maqedoni që do të pranonte kushtet e vendosura nga pala greke.

Por, vlerësimet e këtilla jo vetëm të ish-shefit të diplomacisë maqedonase, por edhe të organizatave të ndryshme maqedonase kundërshtohen nga shqiptarët.

Ish-diplomati Mahi Nesimi, thotë se kërkesat për ndërprerjen e bisedimeve nuk i sjellin asgjë të mirë Maqedonisë, por përkundrazi.

Ndërprerja e bisedimeve do të ishte vdekjeprurëse për Maqedoninë. Nëse ndërpriten bisedimet, e hidhëruar nga kjo, Greqia mund ta pengojë fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me Bashkimin Evropian, në çdo moment tjetër, jo lidhur me kontestin rreth emrit, por për shkaqe tjera, të cilat mund të jenë në numër të madh”.

“Kështu që këto propozime janë shumë të dëmshme për ardhmërinë e vendit”,
thotë Mahi Nesimi duke shprehur mosbesim se pas këtyre qëndrimeve qëndrojnë struktura shtetërore.

Kjo, pasi Qeveria, sipas tij, ka për obligim të realizojë synimin kryesor të qytetarëve të Maqedonisë - integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Është iluzore të mendohet se popullata e Maqedonisë edhe më tutje do të mbetet e kënaqur me një politikë të këtillë, e cila nuk po arrin të realizojë vullnetin e popullit për inkuadrimin e vendit në strukturat euroatlantike”,
deklaron Nesimi.

Kryeministri Nikolla Gruevski, ditë më parë deklaroi se qeveria nuk mendon t’i ndërpresë negociatat me Greqinë, por tha se do të jetë shumë e kujdesshme që bisedimet të mos i dëmtojnë interesat shtetërore e nacionale të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG